Rukiqi: Qeveria “Kurti”, e paaftë dhe arrogante
Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur sot një konferencë për media, ku ka prezantuar, siç thonë ata, dështimet e qeverisë “Kurti”.
Zyrtari i LDK-së, Berat Rukiqi, duke folur para mediave, tha se këto dështime burimin e kanë në paaftësinë dhe arrogancën e numrave të kësaj qeverie.
“Sot po paraqesim një pjesë të dështimeve të kësaj qeverie, në qeverisjen me ekonominë e vendit. Këto dështime, që burimin e kanë në paaftësinë dhe arrogancën e numrave, po i paguajnë shumë shtrenjtë qytetarët e vendit”, ka thënë Rukiqi.
Ai ka shtuar Kurti është duke vazhduar t’i paraqesë si rekorde edhe dështimet me inflacionin, ku sipas tij në bazë vjetore inflacioni ka qenë me rritje 4.9%.
“E thashë që kryeministri vazhdon t’i paraqesë si rekorde dështimet si Inflacioni në bazë vjetore me rritje 4.9%. Inflacioni ishte i pashmangshëm si shkak i ndryshimeve globale, por në vend do të ishte më ndryshe nëse Qeveria do të kishte vullnet adresimin e saj bazuar te qytetarët”, deklaroi Rukiqi.
Tutje ai tha se 100 euro të vitit 2020 sot kanë vlerën e 81.65 euro.
Rukiqi foli edhe për eksportin, ku tha se në vitin 2023 ka pasur 101 milionë euro më pak eksport se në vitin 2022.