Arrestohet në dasmë nusja e dyshuar për zhvatje të fermerëve të pulave në Meksikë

Një nuse meksikane u shfaq në polici për t’u fotografuar e prangosur me fustanin e saj të nusërisë pasi u arrestua për zhvatje të dyshuar të fermerëve të pulave së bashku me bashkëshortin e saj të ri.

Fotot e nuses, të quajtur Nancy N, tregonin atë të prangosur dhe të rrethuar nga oficerë me automatikë, pasi ishte arrestuar gjatë dasmës së saj mes një operacioni të madh policor në fund të muajit të kaluar, raporton “The Telegraph”, transmeton Klankosova.tv.

Ajo u akuzua për pjesëmarrje për zhvatje që synonte prodhuesit e shpendëve në shtetin e Meksikës, i cili kufizohet me Mexico City.

Shtatë persona të tjerë, duke përfshirë oficerë të policisë bashkiake, u arrestuan gjithashtu me akuza përfshirë zhvatjen dhe rrëmbimin gjatë bastisjes së 22 dhjetorit nga prokurorët e shtetit.

Por burri i Nancy N, i identifikuar si Clemente N dhe me nofkën Ratón, ose “Miu”, u arratis.

Ai kërkohet për vrasje dhe autoritetet e kanë quajtur arrestimin e tij një “objektiv prioritar”. Policia thuhet se ka ofruar një shpërblim prej 300,000 peso (mbi 16 mijë euro) për informacionin që çon në kapjen e tij.

Prokurorët thanë se banda ku ai dhe gruaja e tij i përkisnin kishte përdorur kërcënime dhune për të frikësuar prodhuesit vendas të pulave dhe vezëve, duke u ngarkuar shitësve me shumicë dy pesos (rreth 10.5 cent) për kilogram pule të shitur dhe shitësit me pakicë pesë pesos (rreth 27 cent).

Rrjeti i zhvatjes mendohet të jetë i lidhur me “Familia Michoacana”, ose “Familja Michoacan”, një nga kartelet më të fuqishme të drogës në Meksikë.

Ndër krimet e tjera të supozuara, “Familia “Michoacana dyshohet se përdori një dron për të gjuajtur dhe vrarë në fillim të këtij muaji pesë anëtarë të një bande rivale në Guerrero, shteti i dhunshëm jugor që është shtëpia e resortit të plazhit të Paqësorit të Acapulco.