Hashani: Një mjek trajton mbi 100 pacientë me grip sezonal brenda ditës, mungesa e stafit dhe barnat sfida
Kryeshefi i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Prishtinë, Valdet Hashani, ka bërë të ditur se gjatë javëve të fundit është rritur deri në 20 për qind numri i pacientëve që janë duke kërkuar trajtim si shkak i gripit sezonal.
Sipas tij, ka raste ku brenda ditës një mjek ka kontrolluar mbi 100 pacientë, teksa si problem e thekson mungesën e stafit mjekësor dhe numrin e kufizuar të barnave.
Hashani ka thënë se pacientët që kanë shkuar për trajtim me simptomat që janë paraqitur dërgojnë në një grip sezonal, por që sipas tij ka edhe raste që nga ata pacientë ka të infektuar me COVID-19.
“Të gjitha simptomatologjitë e pacientëve që vijnë në qendrat tona qojnë në një grip sezonal ose në një virus. Tani cilat tipa të viruseve nuk mund të ju themi, edhe pse kemi raste kur pacientët tanë ose punëtoret tonë, punëtorët shëndetësorë, po flas për mjekë dhe infermierë, kanë konfirmuar se kanë pasur edhe COVID-19. Do të thotë se patjetër se duhet që të jetë në qarkullim edhe COVID-19 si virus, tani me që është bërë sensibilizimi i mjaftueshëm i popullatës ky ka hyrë në grupin e gripave sezonale, kuptohet se për disa kategori të pacientëve mund të jetë edhe me i rënduar për shkak gjendjes së tyre shëndetësore, gjegjësisht sistemit imunitar të komprometuar”, tha ai.
Hashani ka theksuar se numri i pacientëve që janë duke kërkuar trajtim në 33 qendrat e mjekësisë familjare në kryeqytet është rritur dhe se këto janë duke u përballur me mungesë të stafit mjekësor.
“Në kuadër të qendrave të 33 njësive që i ka Prishtina si komunë, numri i pacientëve është rritur dukshëm, tani mund të themi mbi 20 për qind kohëve të fundit. Këtu paraqet një problem të jashtëzakonshëm edhe mungesa e stafit mjekësor dhe se Prishtina nuk i ka 180 mijë banorë siç i kemi në bazë të regjistrimit të fundit, ne ofrojmë shërbime shëndetësore sigurisht se për 500 deri 700 mijë banorë, e mund të keni parasysh kur një personel ose një numër i kufizuar i mjekeve dhe infermiereve detyrohet që të jep shërbime për një numër kaq të madh të pacienteve. Kohëve të fundit këto ditë të pushimeve që kanë qenë kemi detyruar personeli shëndetësor që të ndërpret edhe pushimet vjetore dhe mjekësore me qëllim që të dalim ne ndihme mjekeve tanë edhe infermiereve”, tha ai.
Ai ka theksuar që numri i pacientëve që një mjek ka kontrolluar brenda ditës ka kaluar numrin 100, e që sipas tij në kushte normale një mjek kontrollon 30 deri në 50 pacientë.
“Ka pasur qendra ku numri i pacientëve ka tejkaluar 100 për një mjek, që mund të keni parasysh që kjo mund të jetë një ose dy ditë po gjatë tërë javës kjo është pothuajse e pa mundur. Realisht në kushte normale ne i kemi 30 deri 50 pacientë, mirëpo është dyfishuar numrin. Të moshuarit ose personat që kanë ndonjë sëmundje kronike, por edhe që janë të vjetër, por gjithashtu edhe numri i fëmijëve ka qenë me i lartë me këto simptomatologji. Më tepër kanë ardhur për shkak të trupit dhimbjeve muskulore, teshtimë, shumicën e kohës kanë qenë me temperaturë, dhimbje koke, vjellje, kollitje që fillimisht ka ardhur ditëve të para”, tha ai.
Hashani tha se gjatë kësaj kohe janë përballur edhe me numër të kufizuar të barnave dhe se janë detyruar që vetë si Drejtori e Shëndetësisë t’i kompensojnë këto mungesa që janë paraqitur.
“Fatkeqësisht edhe numri i barnave të cilat normalisht do të duhej të furnizoheshin nga lista esenciale prej Ministrisë së Shëndetësisë është i kufizuar, ne duhet si QKMF, respektivisht si Drejtori e Shëndetësisë që t’i plotësojmë, t’i kompensojmë këto dhe keni parasysh se shpenzimet ne këtë drejtim e cungojnë një drejtim tjetër ose një problematikë tjetër ku do të duhej të shpenzoheshin këto mjete. Është një barrë shtesë për drejtorin e Shëndetësisë për t’u pajisur ose për të blerë barna nga buxheti jonë edhe pse normalisht do të duhej që kjo të bëhej nga MSH-ja nëpërmjet listës esenciale të barnave”, tha ai. /EO