Ku mbeti dashuria për kartolinat, siç e kishim dikur?

Dikur në një kohë kur vinin festat e fundvitit urimet për njerëzit e dashur trokisnin derë më derë. Dhe nga të gjitha festat e pritura të cilat përcilleshin me buzëqeshje e dhurata të bukura, urimi më i mirë ishte ai që të vinte i shkruar në një moment të papritur, nga dora e postierit.

Atëbotë dyqanet, kioskat e libraritë mbusheshin me kartolina shumëngjyrëshe të punuara në format më të mira. Disa prej tyre të punuara me dorë e disa të tjera të qëndisura me urime për festat, por që të gjitha të stampuara me dedikim të thellë e të menduar. Ishte ky një ritual i përvitshëm që akoma nuk njihte botën e teknologjisë moderne, postën elektronike, që më vonë do të bëhej shkaktar që urimet e shkruara t’i kujtojmë me nostalgji.

Sot ka akoma të tillë, ndonëse të paktë, që ngarendin librarive e postave për ta gëzuar njerëzit e zemrës. Të tillët nuk përfillin dimensionet elektronike, ku urimet qëndrojnë si në ajër dhe nuk janë të prekshme.

Dikur, jo shumë kohë më parë, posta që të vinte në derë në prag të festës ishte tregues i përkushtimit të dërguesit e zemërmbushës për marrësin, për të cilin një kartolinë e tillë gjithmonë do të ishte e papritur, madje edhe në një kohë të pritshme. Dhe vetë fakti që një urim kishte kaluar dorë me dorë për të mbërritur deri tek ti, duke kaluar male, dete dhe kufij të ftohtë, ua shtonte edhe më shumë hijeshinë e rëndësinë vargjeve të shkruara në letër.

Se ne nuk jemi bërë akoma përfundimisht elektronikë na ngushëllon vetëm fakti që po arrijmë ta ndiejmë mungesën e përkushtimit dhe dashurisë së shprehur në letër në prag festash, ndonëse me kohë po e lëmë pas, pa e vërejtur fare se në fund perëndojmë vetëm me një “gëzuar!”.

Dikur letrat dhe kartolinat na kanë bashkuar, sepse përmes tyre kemi marrë porosi të ndryshme: dashuri, brengë, mall e nostalgji të sinqertë, për më të dashurit e zemrës, dëshira për suksese, shëndet ose qoftë edhe vetëm një informatë se ku gjendeshin atëkohë të dashurit tanë. Vallë a do të thotë kjo se me kalimin e kohës në aspekte të tjera të komunikimit kemi harruar edhe të shkruajmë, kemi harruar të themi maksimumin e ndjenjave dhe dëshirave në minimumin e fjalëve, kemi harruar të shkruajmë fjalë me peshë, fjalë që shkruhen e thuhen vetëm një herë në jetë dhe mbesin tërë jetën si dëshmi e asaj se dikur kemi qenë të gjallë, se dikur kemi frymuar bashkë dhe kemi pasur ëndrra për të nesërmen, për të ardhmen, që sigurisht se do ta vulosnin periudhën ose kohën kur kemi jetuar dhe kemi dashur dikur?!

Dikur para dy dekadave në shekullin e kaluar janë përkujtuar datat e rëndësishme dhe pjesa më e bukur për Vitin e Ri ka qenë shopingu (blerja) pas kartolinave në stendat e vendosura të qytetit, ku varësisht nga afërsia është përzgjedhur edhe kartolina.

I çuditshëm ishte fakti kur vetëm nga një shkrim varej se çfarë do të bëhej më tej me ty dhe gjëja më e rëndësishme ishte të marrësh sa më shumë kartolina, të cilat janë ruajtur me dashuri me vite të tëra, nëpër sirtarë, ani pse shumë herë mbuloheshin nga pluhuri i kohës.

Ndërsa sot është krejt ndryshe, pasi në mënyrë të ftohtë të gjitha mesazhet shkojnë përmes celularëve dhe postës elektronike, duke shtegtuar kështu cep mbi cep, deri në fund të botës.

E shihni, e gjitha ka ndryshuar aq shpejt dhe tmerrshëm, saqë mjerisht nuk është më ajo ngrohtësia që të krijonte një kartolinë dikur. Dhe krejt papritur duke shëtitur rrugës të kryeqytetit takova disa të rinj, të cilëve nuk u kujtohej fare se kur kishin shkruar letër për herë të fundit.

Për herë të fundit kujt i keni shkruar letër? E pyeta një vajzë rreth të 20-tave, e cila nga pamja e saj e buzëqeshur dukej kureshtare të fliste për dashurinë ndaj kartolinave dhe letrave të shkruara me dorë. Ajo më shikoi çuditshëm, duke më thënë se kjo ishte një pyetje e vështirë për vendin ku jetojmë, pasi shumicës së njerëzve nuk u kujtohet tashmë se kur kanë shkruar një urim të fundit.

“Po kush shkruan letra e kartolina tani në këtë kohë, asnjëri, pasi bota e teknologjisë moderne fatkeqësisht ka pushtuar botën shpirtërore dhe dashurinë e vargjeve në letër, që dikur ishin të pavdekshme. T’ju them të drejtën, unë i dua kartolinat, i dua urimet në letrat dhe jetoj me to, pasi të gjitha pamjet me borë, peizazhet me dimër e kaproj të ngrirë ma kujtojnë fëmijërinë time. Por të tjerët ma zënë për të madhe, sepse për ta elektronikja është shumë më e shpejtë, sesa postieri me çantë mbi supe”, më tha vajza buzagaz, duke ikur kështu bashkë me gjurmët e kohës, kartolinave dhe dëshirave.