2023-ta e Kosovës në statistika
Rritje e ulje pagash. Rritje e çmimeve. Rritje e pranisë së NATO-s në Kosovë. Rritje e sulmeve ndaj gazetarëve. Rritje e numrit të grave të vrara nga familjarë të tyre.
Shumë ditë të vitit 2023 shtynë ekipin e Radios Evropa e Lirë të përpilojë dhjetëra grafika me statistika që ilustronin ndodhitë në Kosovë.
Por, shumë gjëra mbetën edhe pa u thënë. Për shembull, u raportua për rënie të prodhimit të energjisë elektrike dhe rritje të konsumit, por jo edhe për pajisjet që përdoren për shpenzim të energjisë elektrike nëpër shtëpi.
Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), pajisja elektrike më e shpeshtë nëpër shtëpitë në Kosovë është televizori, ndjekur nga thithëset elektrike e tharëset për flokë.
Pajisjet elektrike më të përdorura në Kosovë
Nëpër shtëpitë në Kosovë mund të gjenden mesatarisht më shumë se një televizor, thithëse elektrike, lavatriçe, hekur për hekurosje dhe tharëse për flokë. Por, shumë pak shtëpi posedojnë kositëse dhe furrë elektrike ovale, e njohur si tupan.
Ngjashëm si në dimrat e kaluar, pritet që edhe sivjet çmimi i faturave të energjisë elektrike të jetë i paparashikueshëm dhe kosovarët këshillohen ta kursejnë rrymën.
Por, nuk është vetëm energjia elektrike që tani kushton më shtrenjtë. Pothuajse të gjitha produktet u shtrenjtuan ndër vite, sipas të dhënave të ASK-së.
Ndryshimi i çmimeve në Kosovë në 20 vjet
Çmimet e disa produkteve bazë në Kosovë kanë ndryshuar vazhdimisht ndër vite. Në krahasim me mesataren e çmimeve në vitin 2003, shumë produkte kushtuan dukshëm më shtrenjtë në tetor të vitit 2023.
Përkundër rritjes së çmimeve, numri i personave që përfitojnë nga skemat sociale, ishte në rënie gjatë këtij viti.
Numri i personave që përfitojnë nga skemat sociale, në rënie
Numri i familjeve që përfitojnë nga skemat sociale ka vazhduar ta ndjekë trendin e rënies edhe gjatë vitit 2023. Numri i familjeve përfituese në fillim të vitit ishte mbi 22.500, ndërsa në tetor ishte më pak se 20.500.
Sipas të dhënave të ASK-së, papunësia në Kosovë, brenda dhjetë vjetësh, shënoi rënie për mbi 17 për qind. Të dhënat e publikuara në një raport të vitit 2023 për fuqinë punëtore treguan se sektorët e tregtisë dhe ndërtimtaris, janë punëdhënësit më të mëdhenj në vend.
Shpërndarja e fuqisë punëtore të Kosovës
Pjesa më e madhe e kosovarëve të punësuar janë të angazhuar në sektorët e tregtisë dhe ndërtimtarisë.
Instituti për Hulumtime të Avancuara GAP, me seli në Prishtinë, publikoi një analizë të konkurseve të punës, për të parë se sa prej tyre përdorën gjuhë diskriminuese. Në 59 për qind të konkurseve të analizuara u gjet përdorim i stereotipave gjinorë.
Gjuha diskriminuese ndaj grave dhe burrave në konkurse pune
Në mbi 7.500 konkurse pune të analizuara, Instituti GAP gjeti se 59 për qind e tyre ishin diskriminuese, pasi që përmbanin stereotipa gjinorë. Për shembull, konkurset për sektorin e ndërtimtarisë përdornin gjininë mashkullore në kriteret për aplikim, ndërsa gjinia femërore përdorej për konkurset si shitëse apo praktikante në administratë.
Pabarazia gjinore shkoi përtej konkurseve të punës. Po i njëjti institut gjeti se, në vitin 2023, vetëm dy komuna në Kosovë e ndanë drejtimin e drejtorive komunale në mënyrë të barabartë mes burrave dhe grave - Drenasi dhe Hani i Elezit.
Numri i grave që udhëheqin drejtori komunale
Nga gjithsej 331 drejtori komunale në Kosovë, 99 udhëhiqen nga gra. Vetëm në Drenas dhe Han të Elezit vërehet barazi gjinore, ndërsa në Mamushë dhe Kamenicë ka më shumë drejtori të udhëhequra nga gra.
Megjithatë, të dhënat e këtij instituti gjithashtu treguan se gratë përfituan më shumë subvencione sesa burrat në 12 nga 23 komuna të analizuara në Kosovë.
Gratë përfitojnë më shumë se burrat nga subvencionet e komunave
Sipas të dhënave të Institutit GAP të marra nga ndarjet buxhetore për vitin 2023, gratë kanë përfituar më shumë subvencione në 12 komuna, ndërsa burrat në 11. Komuna e Shtimes prin me shpërndarjen më të madhe të subvencioneve për gra.
Ndërkohë, Qeveria e Kosovës ndau këtë vit edhe dhjetëra miliona euro për projekte që kishin nisur qysh në vitet e 2010-ta. Për shembull, mbi 22 milionë euro u ndanë për një projekt të nisur në vitin 2010, për zgjerimin dhe rehabilitimin e një rruge magjistrale.
Dhjetëra miliona euro të ndara më 2023 për projekte të dekadës së kaluar
Gjatë vitit 2023, dhjetëra miliona euro u ndanë për projekte kapitale, të cilat kishin filluar disa vite më parë. Për shembull, mbi 22 milionë euro u ndanë për zgjerimin dhe rehabilitimin e rrugës magjistrale Prishtinë - Mitrovicë, që kishte nisur në mars të vitit 2010. /REL