Rohde: Gjermania vazhdon mbështetjen për integrimin e Kosovës në BE

Kosova duhet të punojë për të tejkaluar sfidat që e presin edhe në vitin 2024, e që janë anëtarësimi i vendit në strukturat euroatlantike, si dhe normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë. Kështu tha sot ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, pas ceremonisë së dorëzimit të vizës së fundit turistike të shtetit gjerman për qytetarët e Kosovës.

“Gjermania do të vazhdojë edhe vitin tjetër të punojë për të afruar Kosovën me Bashkimin Evropian dhe përgjithësisht strukturat euroatlantike. Siç e dini, Kosova ka nevojë të anëtarësohet në organizata të rëndësishme ndërkombëtare si janë: Bashkim Evropian, Këshillin e Evropës dhe në NATO. Gjermania do të vazhdojë ta mbështesë pa rezervë këtë proces”, tha ambasadori Rohde, i pyetur nga Radio Kosova për sfidat politike që e presin Kosovën në vitin 2024.

“Sfida më e madhe për Kosovës mbetet puna drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë”, ka theksuar ambasadori Rohde.

Duke folur për liberalizimin e vizave nga 1 janari, ambasadori Rohde theksoi se “me liberalizimin e vizave, vendi përfiton shumë, pasi mundësohet lëvizja e lirë për njerëzit që ta vizitojnë Gjermaninë, të afërmit dhe familjarët që kanë atje”.

Ai ka theksuar se nga liberalizimi do të përfitojë edhe ekonomia e vendit, sepse “nga 1 janari lehtësohen kontaktet për lidhje biznesi me firmat gjermane, lehtësohen gjithashtu mundësitë për tregti ndërmjet dy vendeve, por edhe për aktivitete të ndryshme nga fusha të tjera të jetës”.

Ambasadori Rohde porositi kosovarët, që të mos keqpërdorin procesin e liberalizimit të vizave.

“Qytetarët e Kosovës të udhëtojnë në vendet Shengen për turizëm, por jo për punësim. Nga një janari qytetarët e Kosovës mund të udhëtojnë pa viza në Gjermani dhe vendet të tjera “Shengen” dhe brenda 180 ditësh të qëndrojnë atje për 90 ditë. Pra, të qëndrojnë si turistë, por jo për të punuar. Për viza pune, bashkim familjar dhe qëllime të tjera, duhet aplikuar për vizën përkatëse edhe në të ardhmen”, theksoi ai.

Ndryshe, Bujar Rrustemi nga Vushtrria, pjesëtar i Policisë së Kosovës, ishte qytetari i fundit i Kosovës, që mori vizën e fundit turistike “Schengen”nga Ambasada Gjermane në Prishtinë.

Ai u tha medieve se do të udhëtonte për në Gjermani, për t’i vizituar anëtarët e familjes së tij që me vite jetojnë atje dhe për t’i kaluar festat e fundvitit.