Policia jep detaje për vrasjen në tentativë në Pejë, arrestohen të dyshuarit

Një vrasje në tentativë ka ndodhur në orët e para të së dielës në fshatin Vitomiricë të Pejës.

Policia e Kosovës në raportin ditor ka bërë të ditur se tashmë janë arrestuar të dyshuarit për këtë incident, shkruan Zeri.info.

“Viktima mashkull kosovar ka raportuar se derisa kishte qenë duke e drejtuar veturën, nga një lokal dy të dyshuar meshkuj kosovarë kishin shtënë me armë zjarri dhe si pasojë vetura e tij në pjesën e pasme ishte goditur nga predhat e fishekëve”, thuhet në raport.

Siç bëhet e ditur, në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar tetë gëzhoja të fishekëve të armës së zjarrit dhe fatmirësisht, përveç dëmeve materiale, nuk ka pasur asnjë të lënduar.

Lidhur me rastin të dyshuarit janë arrestuar dhe me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje. /Zëri