Të lënduar e 14 automjete të përfshira në aksidentin në Fushë-Kosovë, Policia jep detaje

Një aksident zinxhiror ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Fushë-Kosovë.

Policia e Kosovës ka njoftuar se në aksidentin që ka ndodhur në autostradën në Fushë-Kosovë janë përfshirë 14 automjete.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, ka thënë për Zeri.info se në këtë aksident ka edhe persona të lënduar.

“Rreth orës 06:50 në autostradën ‘Ibrahim Rugova’, Mazgit – Bresje, mbi urë tek ETC-ja, sipas informatave fillestare, është shkaktuar një aksident trafiku zinxhiror, ku janë të përfshira 14 automjete dhe si pasojë e aksidentit raportohet edhe për persona të lënduar”, tha Hoxha.

Ai shtoi se kjo rrugë është bllokuar përkohësisht, përderisa njësitet policore dhe ekipet emergjente kanë reaguar në vendin e ngjarjes për t’u marrë me rastin dhe trajtimin e personave të lënduar.

“Lidhur me detaje të tjera do të njoftoheni pas raportimeve që do marrim nga ekipet në terren”, tha Hoxha.

Policia ka apeluar për kujdes gjatë vozitjes në këtë kohë me ngrica dhe mjegull për të shmangur aksidentet e tilla. /Zëri