Kosova ka mbetet “pa zot shtëpie”, Osmani, Konjufca e Kurti udhëtojnë jashtë vendit

Edhe pse kanë kaluar disa muaj nga sulmi terrorist në Banjskë, situata e sigurisë në Kosovë po cilësohet e brishtë.

Gjendja në terren ka bërë që NATO-ja ta përforcojë praninë e saj në veri të vendit, duke dërguar trupa shtesë.

E pikërisht në këtë kohë, tre liderët shtetëror, presidentja, kryeparlamentari dhe kryeministri gjenden jashtë vendit.

Një gjë e tillë ndalohet me Ligjin për Protokollin e Shtetit.

Kjo nuk i ka ndaluar liderët shtetëror që t’i vazhdojnë vizitat e tyre të planifikuara në vend të ndryshme të botës, raporton gazeta10.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për vizitë zyrtare në Doha të Katarit.Bëhet e ditur se Osmani të dielën (sot) do të marrë pjesë në Forumin e Dohas, që do të mbahet më 10 dhe 11 dhjetor.

Jashtë vendit po qëndron edhe kryeministri Albin Kurti. Ai po qëndron në Berlin të Gjermanisë ku po merr pjesë në kongresin e Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë (SPD). Gjatë kësaj vizite, Kurti ka takuar edhe kancelarin gjerman Olaf Scholz.

“Pa zot shtëpie”, vendin e ka lënë edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca. Ai që disa ditë po zhvillon vizita të ndryshme në Amerikë.

Kjo nuk është hera e parë që Osmani, Kurti dhe Konjufca udhëtojnë jashtë vendit në të njëjtën kohë. Pak muaj me parë tre liderët ndodheshin jashtë vendit në të njëjtën kohë, duke e lënë Kosovën “pa zot shtëpie”.

Një gjë e tillë ndalohet me Ligjin për Protokollin e Shtetit, por kjo nuk po respektohet nga liderët shtetëror.

Me daljen jashtë vendit të tre liderëve më të lartë të shtetit, Kosova ka mbetur sot pa asnjë prej krerëve të tri institucioneve kryesore në vend. Por, dalja jashtë vendit e Osmanit, Konjufcës dhe Kurtit paraqet shkelje të ligjit.

Me këto udhëtime ata kanë bërë shkelje të Ligjit mbi Protokollin e Shtetit, i cili parasheh që tre krerët e shtetit në të njëjtën kohë nuk mund të udhëtojnë jashtë vendit.

“Protokolli i Shtetit vihet ne dijeni paraprakisht për çdo lëvizje të personaliteteve kryesore, Presidentit, Kryetarit të Kuvendit dhe Kryeministrit jashtë shtetit. Vizitat bashkërendohen në mënyrë që të mos jenë të tre njëkohësisht jashtë vendit”, bëhet e ditur në Ligjin për Protokollin e Shtetit.

Kjo është e sanksionuar në Ligjin Nr. 03/L-132 për protokollin e Shtetit të Republikës së Kosovës, saktësisht, kreu IV që flet për ceremonialin zyrtar të autoriteteve të larta të shtetit.

Me shkeljen e këtij ligji, do të thotë se në rast të ndonjë ngjarje të jashtëzakonshme në Kosovë, askush nuk do të jetë në gjendje të japë ndonjë urdhër pasi kështu parashikohet me ligj.

Ndërsa edhe përkundër situatës së krijuar në veri të vendit me 24 shtator ku mbeti i vrarë një polic i Kosovës nga një grup serbesh terrorist, dhe tërheqjes së vëmendjes nga ndërkombëtarët se ekziston mundësia e përshkallëzimit dhe eskalimit të situatës, liderët e vendit nuk e kanë marrë parasysh dhe kanë udhëtuar që të tre jashtë vendit në të njëjtën kohë, duke e shkelur kështu Ligjin për Protokollin e Shtetit.