Drejtori i BERZH-it në Kosovë: Kemi plane për investime 300-400 milionë, por varet nga kapaciteti i Qeverisë
“Kosova është një vend prioritar për BERZH-in”.
Kështu shprehet Sergiy Maslichenko, drejtor i këtij institucioni në Zyrën në Kosovë.
Ai në intervistë për Klan Kosovën ka përmendur punët e kryera, ato në proces, ndërkaq ka theksuar se duan që të bëjnë më shumë nga sa është bërë.
“Pra, deri më tani ne përafërsisht investojmë 70-80 milionë euro për çdo vit dhe me të vërtetë për 10 vjetët e fundit kemi shkuar me më shumë se 600 milionë në 105 projekte drejtpërdrejt”, ka treguar ai.
Por, Maslichenko i cili mandatin për ta drejtuar Bankën për Rindërtim dhe Zhvillim në Kosovë e ka marrë në shkurt të vitit 2023, thotë se planet për të ardhmen janë që dora të shtrihet dukshëm më gjerë.
“Ne kemi plane për 300-400 milionë euro për momentin dhe kjo varet edhe nga kapaciteti i Qeverisë, ministritë e ndryshme dhe ndërmarrjet e ndryshme publike, se si janë të gatshëm të punojnë me ne shpejt dhe të angazhohen”.
Ndër planet më të mëdha bëjnë pjesë investimet në hekurudha, por edhe projekte të tjera që lidhen drejtpërsëdrejti me komunat.
Përmes hekurudhave synohet që të krijohet rrjet që lidh edhe vendet fqinje, duke synuar rritjen e të bërit tregti. Maslichenko tregon gjithashtu pse në Kosovë investimet shkojnë më tepër në sektorin publik, derisa ngjashëm nuk ndodhë me vendet e tjera.
Atë që ka parë si zëvendësministër i Energjisë në Ukrainë gjatë periudhës 2019-2020, kreu i zyrës së BERZH-it në Prishtinë, thotë se ka vërejtur edhe potencialin e madh që ka gjithashtu Kosova për energji të ripërtërishme.
BERZH-i ka parashikuar rritje ekonomike për Kosovën prej 3.5 për qind, derisa shkallë të inflacionit prej 4.5, që dallon me parashikimet e Qeverisë së Kosovës dhe disa institucione tjera ndërkombëtare.
Një parashikim personal, Maslichenko e ka dhënë kur ka folur për agresionin e Rusisë me të cilin po përballet Kievi, duke thënë: “Lufta në Ukrainë do të përfundojë vitin tjetër”.