Gjenden dy persona të vdekur në Maqedoni, një ndër ta edhe e kërkuara Vanja Gjorçevska
Vanja është gjetur e vdekur, gjithashtu dhe një burrë 74 vjeçar. Prokuroria Publike njoftoi se sot në periferi të Shkupit u gjet trupi i pajetë i të miturës V.GJ., e cila ishte raportuar si e zhdukur më 27.11.2023, kurse në periferi të Velesit trupi i pajetë i R.ZH., 74 vjeçar, nga Velesi, i cili më datë 24.11.2023 u raportua si i zhdukur.
“Nga hetimet e zhvilluara, e kemi vërtetuar se vrasja e dyfishtë është realizuar nga njerëz të njëjtë, me qëllim “shfrytëzim”. Kemi vërtetuar nga hetimet se e mitura është marrë me veturë nga vendi ku ka jetuar dhe është vrarë ditën e njëjtë kur është rrëmbyer, 27 nëntor rreth orës 10″ thonë nga Prokuroria Themelore Publike e Maqedonisë.
Gjetjes së dy trupave, sipas PTHP-së, i ka paraprirë edhe gjetja e ADN-së të vajzës së mitur, në një veturë citroen. Pas kësaj janë kryer bastisje në disa lokacione në Shkup, Prilep dhe Shtip ku janë mbledhur më shumë materiale që kanë shpier deri tek gjetja e trupave të dy personave të zhdukur më parë.
Më herët MPB e Maqedonisë ka lëshuar edhe fletarrest ndërkombëtar kurse për gjetjen e vajzës nga Shkupi Vanja Gjorçevska janë aktivizuar ekipe të ndryshme të policisë nëpër disa qytete rreth Shkupit.
Nga Prokuroria kanë njoftuar se gjatë ditës së nesërme (e hënë) do të ketë më shumë informacione për këtë rast. Më herët MPB e Maqedonisë njoftoi se janë ndaluar pesë persona për këtë rast, ndërsa për tre nga ta është kërkuar paraburgim për të hetuar lidhshmërinë dhe për të mbledhur provat e duhura.