Vrasja e Liridonës, familja Ademaj i jep familjes Murseli dy ditë besë
Detajet e para të natës tragjike së 29 nëntorit ku mbeti e vrarë 33-vjeçarja, Liridona Ademaj Murseli morën kthesë sot kur Policia e Kosovës arrestoi burrin e saj Naim Murselin dhe Granit Plavën si të dyshuar për vrasjen e saj në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë.
Pak orë para se të arrestohej, Naim Murseli mori pjesë në ceremoninë e varrimit të Liridonës, ceremoni kjo që u krye në fshatin e tij. Ndërsa, vetëm pak orë pas arrestimit të të njëjtit, u raportua se familja Ademaj ka kërkuar nga Policia e Kosovës zhvarrimin e trupit të Liridonës nga aty ku u varros.
Ndër tjera, Gazeta Sinjali merr vesh ekskluzivisht se familja Ademaj, familjes Murseli i ka dhënë dy ditë besë.
Ndër tjera, po ashtu mësohet se Naimi Murseli dhe Kushtrimi Kokalla kanë pasur raporte shumë të afërta, teksa vazhdimisht janë parë pranë njëri-tjetrit.
Prokuroria Themelore në Prishtinë sot gjatë ditës tha se është sekuestruar edhe arma me të cilën dyshohet se është kryer vepra, duke shtuar se të dyshuarit janë duke u intervistuar në stacionin policor, derisa ndaj të njëjtëve do të ndërmerr veprimet e mëtejme ligjore.