Mbrohen në heshtje katër të akuzuarit për shpëlarje parash

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë katër të akuzuarit, B.T., Q.T., A.T. dhe J.T., të cilët akuzohen për shpëlarje parash, kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre për t’u mbrojtur në heshtje.

Po ashtu në këtë seancë është bërë administrimi i provave materiale.

Paraprakisht kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Veseli Ismaili bëri të ditur se gjykimi fillon rishtazi për shkak se ka kaluar një kohë e gjatë nga mbajtja e seancës së fundit në këtë çështje penale.

Më pas, me pajtimin e palëve në procedurë veprimet procedurale të ndërmarra deri më tani u konsideruan të lexuara.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës të akuzuarit B.T., Q.T., A.T. dhe J.T. ngarkohen se në vazhdimësi, në bashkëveprim kanë kryer veprën penale “Shpëlarja e parave” nga Neni 302 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe Ligjit 05/L96 Neni 56, paragrafi 1.1 dhe 1.2 lidhur me Nenin 28 dhe 31 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi