Sillen para gjykatës gjashtë të arrestuarit për falsifikim të monedhave 2-euroshe
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë janë sjellë para gjykatës gjashtë të dyshuarit, të cilët u arrestuan nën dyshimin për prodhimin dhe vënien në qarkullim të monedhave 2-euroshe.
Seanca dëgjimore në të cilën pritet të vendoset lidhur me caktimin e masës së sigurisë pritet të fillojë në orën 14:00.
Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) të mërkurën njoftoi se në një operacion të përbashkët me Policinë e Kosovës kanë arrestuar në flagrancë gjashtë persona, të cilët dyshohen për prodhim dhe vënie në qarkullim të parave të falsifikuara, konkretisht monedha metalike 2-euroshe. Nga ky aksion janë sekuestruar thasë me para në vlerë mbi 85 mijë euro.
Në njoftimin e PSRK-së thuhet se bashkë me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, është realizuar një operacion, gjatë të cilit është identifikuar një grup i cili merrej me prodhimin/shpërndarjen dhe futjen në treg të parave të falsifikuara, të cilat dyshohet se janë prodhuar në një shtet fqinj me Kosovën, dhe më pastaj nga grupe kriminale shpërndahen në shtetet e rajonit.
“Prokuroria Speciale njofton se në këtë operacion janë arrestuar në flagrancë gjashtë (6) persona të dyshuar, për veprat penale “Falsifikimi i parasë” (prodhimi dhe vënia në qarkullim) nga Neni 296 i Kodit nr. 08/L-074 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, pasi kanë qenë shpërndarësit e parave të falsifikuara, konkretisht monedhave metalike dy (2) euro të falsifikuara”, thuhet në njoftim.
Sipas PSRK-së, tre nga të dyshuarit janë shtetas të Maqedonisë së Veriut, kurse tre të tjerët shtetas të Republikës së Kosovës.
“Nga ky operacion janë sekuestruar thasë me nga 2 euro metalike në vlerë prej tetëdhjetë e pesëmijë e dhjetë (85.010.00) eurove, të cilat dyshohen se janë të falsifikuara. Po ashtu, janë sekuestruar katër (4) vetura, të cilat janë përdorur nga personat e arrestuar dhe shtatë (7) telefona celularë”, thuhet më tej. /BetimipërDrejtësi