Identifikohet grupi që fuste në qarkullim dy euro false, arrestohen në flagrancë gjashtë të dyshuarit me 85 mijë euro

Gjashtë persona janë arrestuar mëngjesin e sotëm për veprën penale “Falsifikim i parasë” (prodhimi dhe vënia në qarkullim).

Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se të arrestuarit janë tre nga Kosova dhe tre nga Maqedonia e Veriut, shkruan Zeri.info.

Sipas njoftimit, mbi 85 mijë euro ka qenë vlera e parave të falsifikuara të monedhës metalike 2 euro.

“Kodit Penal të Republikës së Kosovës, pasi kanë qenë shpërndarësit e parave të falsifikuara, konkretisht monedhave metalike dy (2) €uro të falsifikuara. Ndërkaq, tre (3) nga personat e dyshuar janë shtetas nga Maqedonia e Veriut dhe tre (3) të tjerë shtetas të Kosovës. Nga ky operacion janë sekuestruar thasë me nga 2 euro metalike në vlerë prej tetëdhjetë e pesëmijë e dhjetë (85.010.00) euro, të cilat dyshohen se janë të falsifikuara. Po ashtu, janë sekuestruar katër (4) vetura, të cilat janë përdorur nga personat e arrestuar dhe shtatë (7) telefona celularë”, thuhet në njoftim, raporton Zeri.info.

Njoftimi i plotë i Prokurorisë, pa ndërhyrje:

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) dhe Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, ka realizuar një operacion gjatë të cilit është identifikuar një grup i cili merrej me prodhimin/shpërndarjen dhe futjen në treg të parave të falsifikuara, të cilat dyshohet se janë prodhuar në një shtet fqinj me Kosovën dhe me pastaj nga grupe kriminale shpërndahen në shtetet e rajonit.

Prokuroria Speciale njofton se në këtë operacion janë arrestuar në flagrancë gjashtë (6) persona të dyshuar, për veprat penale “Falsifikimi i parasë” (prodhimi dhe vënia në qarkullim) nga Neni 296 i Kodit nr. 08/L-074 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, pasi kanë qenë shpërndarësit e parave të falsifikuara, konkretisht monedhave metalike dy (2) euro të falsifikuara. Ndërkaq, tre (3) nga personat e dyshuar janë shtetas nga Maqedonia e Veriut dhe tre (3) të tjerë shtetas të Kosovës.

Nga ky operacion janë sekuestruar thasë me nga 2 euro metalike në vlerë prej tetëdhjetë e pesëmijë e dhjetë (85.010.00) euro, të cilat dyshohen se janë të falsifikuara. Po ashtu, janë sekuestruar katër (4) vetura të cilat janë përdorur nga personat e arrestuar dhe shtatë (7) telefona celularë.

Personat e arrestuar me aktvendim të prokurorit të Shtetit janë dërguar në mbajtje për 48 orë, si dhe brena afateve kohore ligjore do të bëhet kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit. /Zëri