Deri më tani, Kosova ka dokumentuar 13 mijë e 535 persona të vrarë dhe të zhdukur

Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë, fond ky i cili merret me dokumentimin e shkeljeve të të drejtave të njeriut gjatë luftës, ka arritur që deri më tani të dokumentojë mbi 13,500 qytetarë të vrarë e të zhdukur nga lufta në Kosovë në vitet 1998-1999.

Këtë e ka bërë të ditur drejtori i këtij fondi, Bekim Blakaj.

“Ne i kemi dokumentuar deri më tani 13, 535 njerëz të cilët janë vrarë apo janë zhduk gjatë luftës dhe menjëherë pas luftës në Kosovë. Shumica prej tyre janë shqiptarë, pra mbi 10,800 janë shqiptarë, por ka edhe të komuniteteve tjera, janë dikund rreth 2200 serbë, pastaj ka diçka qindra romë, boshnjak e të tjerë”, është shprehur ai, për Front Online.

E, nga ky numër tregon se mbi 80% kanë qenë persona civil.

“Kur bëhet fjalë tek shqiptarët shumica prej tyre mbi 80% kanë qenë persona civil, pra të cilët nuk kanë marrë pjesë në luftë dhe si të tillë ata nuk është dashtë në asnjë mënyrë civilët me i targetu, pra me u vra apo me u zhdukë”, ka thënë Blakaj.