Vritet në Francë ish-ushtari i UÇK-së
Një 55-vjeçar nga Kosova ka mbetur i vdekur si pasojë e të shtënave me armë zjarri në mes të dy bandave kriminale në Dijon të Francës.
Viktima gjatë luftës ishte ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Lajmin e hidhur e kanë dhënë familjarët.
Bëhet fjalë për Veli Sadikun, nga fshati Rashan i Mitrovicës.
Rasti ka ndodhur në mesnatën e së shtunës.
Për ngjarjen tragjike ka shkruar edhe gazeta franceze “Le Figaro”, përcjell Klankosova.tv
Prokurori i Dijon bëri të ditur tha se dy persona që qëlluan derisa ishin në lëvizje me veturë janë në arrati.
Raportohet se burri nga Kosova u godit nga plumbi brenda banesës së tij në katin e parë, në vendin e quajtur “Rrethi i Stalingradit”.
Për rastin ka folur edhe vajza e viktimës, e cila deshti të mbetej anonime.
“Unë dhe nëna ime u zgjuam nga të shtënat e armëve, të cilat u ndalën fillimisht për disa momente dhe pastaj filluan sërish. Kur unë dhe nëna ime shkuam të shohim babain ku flinte në shtratin e tij, ai kishte vdekur”, tha 23-vjeçarja për Le Figaro.
Familja Sadiku kishte 14 vjet që jetonte në Francë, shkruan gazeta franceze.