Grabitja e armatosur në Suharekë, Policia: Të dyshuarit vendosën pengesa në rrugë duke ikur
Policia e Kosovës ka dhënë detaje të reja në lidhje me rastin e grabitjes së një argjendarie në Suharekë.
Përmes një komunikate Policia thotë se sot me datë 22.11.2023 rreth orës 15:45 ishin njoftuar për një rast “Grabitje e armatosur”, që ishte në zhvillim e sipër në një argjendari, në rrugën Brigada 123, në Suharekë.
Policia me të marr informatën, konkretisht patrulla më e afërt është nisur në atë drejtim, duke mbërri shumë shpejt në vendin e ngjarjes duke hasur grabitësit në aksion.
“Të dyshuarit ishin të maskuar dhe të armatosur. Posa patrulla policore ka mbërri në vendin e ngjarjes të dyshuarit kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të policisë, me atë rast një zyrtar policor është plagosur lehtë nga arma e zjarrit, ndërsa një tjetër zyrtar policor është lënduar gjatë aksionit”, thuhet në njoftim.
Policia njofton se ndërkohë kanë mbërri në vendin e ngjarjes edhe përforcime të tjera policore dhe se nga të dhënat e para dyshohet se ishin katër të dyshuar.
“Të dyshuarit janë larguar nga vendi dhe policët iu janë vënë pas, gjatë rrugës të dyshuarit kanë vendosur pengesa të ndryshme dhe kanë arrit që të arratisën”, vijon njoftimi i Policisë.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren në bashkëpunim edhe me drejtoritë tjera rajonale thonë se janë angazhuar me tërë kapacitetin e tyre për zbardhjen e rastit konkretisht identifikimin, lokalizimin dhe arrestimin e të dyshuarve.
“Ftojmë gjithashtu të gjithë qytetarët që kanë çfarëdo informacioni që mund të na ndihmon në kapjen e kryesve të këtij rasti të kontaktojnë policinë”, thuhet mes tjerash në njoftimin e Policisë së Kosovës. /Zëri