Abdixhiku: Kurti po na cilëson tradhtarë, nëse i ndodh diçka ndonjë njeriu të LDK-së përgjegjësia është e tij

Analisti Ylli Hoxha, e vuri në diskutim deklaratën e kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku ku i ishte drejtuar kryeministrit Albin Kurti se të bashkuar do të mund të kishin bërë më shumë në dialog.

Por Abdixhiku thotë se Kurti e ka hedhur poshtë bashkëpunimin me partitë tjera në dialog duke i etiketuar këta të fundit si tradhtarë.

“Jam i brengosur për fatin e vendit tim dhe fatin e vendit ku do të rriten fëmijët e mijë dhe tuaj, kjo është brenga ime. Por tani keni parasysh se përballë kam një njeri që vjen të raportojë në Kuvend dhe thotë që Vuçiq po ju kërkon juve. E tani kur Vuçiq të kërkon ty, të bën që ti je tradhtar, e për tradhtarët ka një alternativë, e që nuk është bashkëpunimi më së paku”, ka deklaruar i pari i LDK-së në RTV Dukagjini.

“Tani ne fillimisht duhet të shkojmë në shtëpi të ju themi fëmijëve që ne për besë nuk jemi me Serbinë teksa kthehen prej shkollave. Kjo është gjuhë e ndytë politike e një njeriu të humbur në hapësirë, i cili dëshiron të nxitë urrejtje e polarizim të shoqërisë”, ka thënë Abdixhiku.

Abdixhiku është shprehur se nëse një anëtari të LDK-së i ndodhë diçka si pasojë e kësaj gjuhe, atëherë përgjegjësia duhet të kërkohet nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Kurti po atakon gjithë deputetët e gjithë strukturat politikë të LDK-së si tradhtarë. Si kryetar i LDK-së që jam nëse i ndodh diçka ndonjë njeriu të LDK-së për shkak të një gjuhe të tillë politike linçuese, përgjegjësinë duhet ta kërkoni vetëm te kryeministri i Kosovës”, ka deklaruar tutje kryetari i LDK-së.