Deklarohet Prokuroria për zjarrin që përfshiu objektin e IML-së

Prokuroria Themelore e Prishtinës është deklaruar për zjarrin që shpërtheu në objektin e Institutit të Mjekësisë Ligjore.

Nga Prokuroria kanë bërë të ditur se ka lëshuar disa autorizime për kryerjen e ekzaminimeve nga vendi i ngjarjes.

“Ju njoftojmë se me të pranuar informatën nga Policia e Kosovës lidhur me incidentin e zjarrit në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, Prokurori i Shtetit ka dalë në vendin e ngjarjes bashkë me të gjitha njësitë relevante për t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, me qëllim të sqarimit të shkaqeve të këtij incidenti. Prokurori i Shtetit ka lëshuar disa autorizime për kryerjen e ekzaminimeve nga vendi i ngjarjes dhe nga të gjeturat e tyre eventualisht në rast të paraqitjes së elementeve të veprës penale, do t’i ndërmerr veprimet e mëtejme konform dispozitave të KPPRK-së”, ka thënë Prokuroria për RTK-në.

Tutje nga Prokuroria thonë se në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës, IML-në dhe institucionet e tjera relevante janë duke vazhduar me ndërmarrjen e veprimeve hetimore deri në sqarimin e plotë të rastit në fjalë.