Haxhiu për zjarrin në IML: S’ka pasur dëmtim të mbetjeve mortore e as të arkivit

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar në lidhje me zjarrin që ka përfshirë mëngjesin e sotëm objektin e Institutit të Mjekësisë Ligjore.

Haxhiu ka thënë se nga vlerësimet fillestare, nuk ka pasur djegie ose dëmtim të mbetjeve mortore, arkivit të IML-së dhe mostrave.

“Ekipet e zjarrfikësve, Policia, Prokuroria menjëherë kanë shkuar në vendin e ngjarjes. Nga vlerësimet fillestare, nuk ka pasur djegie ose dëmtim të mbetjeve mortore, arkivit të IML-së dhe mostrave.

Ekipet e forenzikës, ekspertët e zjarrit dhe të elektroteknikës janë ende duke e kryer punën e tyre me qëllim që të dihen shkaqet e zjarrit. Policia dhe Prokuroria po ashtu janë duke bërë punën e tyre”, shkroi Haxhiu.

Ajo shtoi se për shkak të atyre që kanë ndodhur në IML ndër vite, me të drejtë qytetarët mund të jenë të shqetësuar lidhur me këtë, “mirëpo pa kuptuar shkakun e zjarrit nuk mund të japim informacione më shumë”. /Zëri