Krasniqi për zjarrin në IML: Ky Institut është rikthyer në cak dhe në instrument politik

Kryetari i PDK-së Memli Krasniqi ka reaguar pas zjarrit që ka djegur mëngjesin e sotëm dy zyra të Institutit të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.

Krasniqi ka përmendur se IML-ja është përfshirë dy herë nga zjarri brenda një viti, ndërsa ka përmendur edhe zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit, transmeton Zeri.info.

Ai ka kërkuar që Ministria e Drejtësisë të dalë sa më shpejt me informacione në lidhje me ngjarjen e sotme, sipas tij dyshimet janë edhe më të mëdha se, për qëllime të caktuara të pushtetit aktual, pasi sipas tij, ky Institut është rikthyer në cak dhe në instrument politik.

Reagimi i plotë:

Për të dytën herë brenda një viti, Instituti i Mjekësisë Ligjore në Prishtinë po dëmtohet nga zjarre të dyshimta. Pas zhdukjes së mostrave të rastit të Astrit Deharit në dhjetor të vitit të kaluar dhe zjarrit të marsit të këtij viti, sot flaka kaploi disa nga zyrat kryesore të këtij Instituti.

Nga të gjitha organet kompetente, kërkoj që urgjentisht të hedhin dritë mbi këtë çështje. Ndërkaq, Ministria e Drejtësisë, e cila menaxhon me këtë Institut, duhet të dalë urgjentisht me informata konkrete rreth këtij rasti.

Çfarë e shkaktoi zjarrin? Çfarë u dogj dhe cilat janë dëmet? A janë dëmtuar prova dhe mostra të tjera, të cilat do të dëmtojnë hetimin e ndonjë rasti? Si është e mundur që edhe pas zhdukjes së mostrave të rastit Dehari, mbikëqyrja dhe niveli i sigurisë në këtë Institut të mbeten kaq të ulëta?

Mungesa e mbrojtjes së Institutit të Mjekësisë Ligjore, edhe pas dështimeve të kaluara, nuk mund të quhet më as papërgjegjësi dhe as rastësi. Tashmë, dyshimet janë edhe më të mëdha se, për qëllime të caktuara të pushtetit aktual, ky Institut është rikthyer në cak dhe në instrument politik.

Dikush duhet të japë përgjegjësi!