Kurti: Rritja ekonomike sivjet 3.8%, inflacioni prej 3.3% më i ulëti në Ballkan

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) ka organizuar fushatën “Mësimi dual: Mundësi për punësim dhe vetëpunësim të të rinjve”.

Kryeministri Albin Kurti tha se vitin 2023 mund të përmbyllet me 3.8 për qind rritje ekonomike. Ai shtoi se në muajin tetor inflacioni në vend ka arritur në 3.3 për qind, që është vlera më e ultë në Ballkan, kjo sipas tij falë punës së Qeverisë.

Ai tha se arsimi dual mundësohet në 12 profile të ndryshme dhe është duke u zhvilluar në 21 shkolla ne 14 komuna të vendit, duke shtuar se sistemi dual është i dobishëm ekonomikisht për individin dhe shtetin.

“Popullsi jonë e re është një nga pasuritë tona më të mëdha. Po jetojmë një kohë të ndryshimeve të paprecedent. Këto zhvillime kërkojnë një fuqi punëtorë të aftë, pikërisht këtu në këtë ndryshim aftësimi dhe aftësimi profesional bëhen thelbësor për mirëqenie sociale. Është thelbësore të referojmë mbi zhvillimet ekonomikë në Kosovë. Të hyrat nga taksat u rritën më 47 për qind. Investimet e huaja direkte janë dyfishuar. Rritja jonë ekonomi në vitin 2022 ka qenë 5.2 për qind, këtë vit mund ta përmbyllim me një rritje 3,8 për qind. Në tetor inflacioni ka qenë 3.3 për qind që është më i ultë në gadishullin Ballkanik. Kjo fushatë është një thirrje për të njohur arsimin dual, sistemi dual do të thitë edhe karriera jo vetëm aftësim. Po angazhohemi që rinia jonë të aftësohet. Sistemi dual është i dobishëm ekonomikisht për individin edhe shtetin, sistemin dual duhet ta bëjmë si vlerë shoqërore”, tha ai.

Ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde, tha se shteti i tij që nga viti 2017 është duke subvencionuar në Kosovë që sektori i arsimit dual të përmirësohet dhe t’u mundësohet sa më shumë të rinjve të jenë të përfshirë në këtë sektor.

“Gjermania dhe Kosova ndajnë një histori të gjatë në sektorin e arsimit. Prioritet ka qenë që të rinjtë t’i bëjmë të përshtatëm për tregun e punës. Duhet të mburreni dhe duhet që të kenë një pagë të dinjitetshme. Arsimi cilësor do të sigurojë prosperitet dhe të ardhme. Ju siguroj se Gjermania do të mbështetë reformën e mësimit dual në Kosovë”, tha ai.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, tha se arsimi dual ka qenë agjendë prioritare për MASHTI-n, sipas saj, deri më tani mbi 900 nxënës janë duke ndjekur arsimin dual në 12 profile të ndryshme.

“Arsimi dhe aftësimi profesional u jep zgjidhje dhe drejtim shumë ekonomive në botë, për këtë edhe Kosova po ec në hap me vendet e zhvilluara. Arsimi dual përshtatet më së miri më kohën dhe zhvillimet aktuale duke zhvilluar nxënësit tanë në shumë drejtime. Arsimi dual është mundësuar në 12 profile duale, ku janë 920 nxënës në 21 shkolla profesionale, në 14 komuna”, tha ajo. /EO