Kosova synon ta përmbyllë me fitore kampanjën për “Euro 2024”, përballet me Bjellorusinë në “Fadil Vokrri”

Përfaqësuesja e Kosovës do të zhvillojë ndeshjen e fundit në kampanjën kualifikuese për “Euro 2024”.

Dardanët kanë dështuar të kualifikohen nga Grupi I, përkundër se synimi ishte të zinin njërin nga dy vendet e para për të shkuar në Kampionatin Evropian.

Në ndeshjen e fundit të kampanjës kualifikuese, Kosova në stadiumin “Fadil Vokrri” pret Bjellorusinë me fillim në orën 20:45.

Pas nëntë ndeshjeve të zhvilluara, Dardanët kanë grumbulluar 11 pikë, dy më shumë se Bjellorusia, që është një pozitë më poshtë.

Të besuarit e trajnerit Primoz Gliha janë në seri të rezultateve pozitive, ku në tri ndeshjet e fundit kanë shtatë pikë, derisa Bjellorusia ka pesë pikë.

Kosova kërkon tri pikët për të shpresuar në pozitën e tretë, e cila mbahet nga Izraeli, që në duelin e fundit luan përballë Andorrës.

Ndërkohë Bjellorusia synon të shkaktojë befasi në Prishtinë, për ta zënë vendin e katërt në tabelë.

E dueli tjetër i këtij grupi është ai mes Rumanisë dhe Zvicrës, që luhet për pozitën e parë në tabelë.