Pas barazimit ndaj Ishujve Faroe, Ismajli: Duhej të kishim fituar për tifozët, por qëllimi u arrit

Shqipëria ka barazuar ndaj Ishujve Faroe, në kuadër të ndeshjes së fundit të ciklit kualifikues të kampionatit evropian “Euro 2024”.

Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Air Albania” përfundoi me rezultat 0-0.

Skuadrat patën raste shënimi mirëpo pa konkretizim të golit.

Pas ndeshjes ka folur mbrojtësi, Ardian Ismaijli ku theksoi se skuadra do e analizojë barazimin me Ishujt Faroe, megjithatë shtoi se qëllimi u arrit dhe u kualifikuan në Euro 2024 si kryesues të Grupit E.

Ndeshja: “Të gjithë e dimë se kjo ndeshje sot nuk ishte një nga ndeshjet më të mirë, megjithatë objektivi u arrit, pasi jemi në vendin e parë. Do e analizojmë këtë ndeshje dhe do e shohim ku kemi ngec, pasi në këto eliminatore kemi bërë ndeshje perfekte, dmth jo në këto dy të fundit, por në të tjerat.”

Forma: “Mungesën ndaj Çekisë e kam vuajtur jashtëzakonisht shumë, por me triumfin që bëri skuadra e kam shijuar shumë, pasi mu duke vetja sikur po luaja. Më këto ndeshje kush më shumë e kush më pak ka dhënë kontribut. Në çdo pozicion kemi nga tre lojtarë të gjithë janë më të mirë se njëri-tjetri.”

Pse ky rezultat, mos e keni nënvlerësuar? “ Jo aspak e kemi marrë seriozisht si çdo ndeshje tjetër. Megjithatë ky është një ekip që mbyllet mbrapa dhe normale është shumë e vështirë ta thyesh, megjithatë e morëm një pikë dhe jemi në krye të grupit, ndonëse na duhej fitorja për publikun tonë”, përfundoi Ismajli duke folur pë Supersport.

Kësisoj, Shqipëria e mbyll grupin si lider me 15 pikë, aq sa ka edhe Republika Çeke në vendin e dytë, që gjithashtu ka siguruar kualifikimin. /Zëri