Tre të akuzuar mbrohen në heshtje, dy tjerë thonë që s’e kanë ditur se kishte parregullsi në vendvotim

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë në shqyrtimin gjyqësor për falsifikim të rezultateve të votimit, të akuzuarit Drilon Osman dhe Mirsije Shahini, thanë se deri në ditën e ftesës së Policisë, nuk e kanë ditur se kishte parregullsi në qendrën e votimit ku ata ishin komisionerë. Kurse, tre të akuzuarit Sevdaim Shala, Fatlum Berisha dhe Labinot Rrecaj, shfrytëzuan të drejtën të mbrohen në heshtje.

Në këtë rast, Sevdaim Shala në cilësinë e kryesuesit dhe Fatlum Berisha, Labinot Rrecaj, Drilon Osmani dhe Mirsije Shahini, në cilësinë e anëtarëve të këshillit të vendvotimit, po akuzohen për veprën penale “Falsifikimi i rezultateve të votimit”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fillimisht, të akuzuarit Sevdaim Shala, Fatlum Berisha dhe Labinot Rrecaj, deklaruan se duan të mbrohen në heshtje.

Kurse, Drilon Osmani tha se gjatë numërimit të votave, shpeshherë janë ndërruar në role të lexuesit dhe shkruesit, pasi që sipas tij ishte lodhje.

Kurse, e akuzuara Shahini tha se nuk e ka ndërmarrë asnjë veprim për t’i dëmtuar votat e partive politike.

“Nuk e di se si ka ndodhë ndryshimi në votat e partive politike të paraqitura në aktakuzë, por e di që nuk kam ndërmarrë asnjë veprim me qëllim të dëmtimit me votat e partive politike”, tha Shahini.

Seanca e radhës është caktuar më 31 janar 2024.

Sipas aktakuzës së 9 marsit 2023, në qendrën e vendvotimit në Komunën e Prishtinës, përkatësisht në shkollën fillore “Andon Zako Çajupi”, të fshatit Bardhosh, të akuzuarit Sevdaim Shala, në cilësinë e kryesuesit dhe Fatlum Berisha, Labinot Rrecaj, Drilon Osmani dhe Mirsije Shahini, në cilësinë e anëtarëve të këshillit të vendvotimit, me dashje dhe në bashkëkryerje kanë kanë regjistruar në mënyrë të pasaktë votat ose rezultatet e zgjedhjeve në dokumentet zgjedhore.

Aty thuhet se në mënyrë të pasaktë kanë shënuar 205 vota, prej tyre 105 vota të shtuara dhe 100 të hequra, përkatësisht Partisë Demokratike të Kosovës i kanë shtuar 11 vota, Lidhjes Demokratike të Kosovës i kanë shtuar 71 vota, Lëvizjes Vetëvendosje i kanë shtuar 23 vota, ndërsa ua kanë hequr: PDK-së 1 votë, LVV-së 10 vota, AAK-PSD-së 79 vota, Nisma 1 votë dhe LDK-së 9 vota. Të gjitha këto ndryshime, thuhet se i kanë futur në formularin e përputhjes së të dhënave dhe rezultateve.

Me këtë, ata akuzohen se kanë kryer veprën penale “Falsifikimi i rezultateve të votimit” sipas nenit 216, paragrafi 2, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.