Shefi i NATO-s pritet me ceremoni në Presidencë, nis takimin me Osmanin
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka pritur në takim sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.
Më pas ai do të takohet edhe me kryeministrin Albin Kurti.
Të hënën shefi i NATO-s do të nisë turin treditor në Ballkan.
Fillimisht ishte në Bosnjë e Hercegovinë. Kurse të martën Stoltenbergu do jetë në Serbi, ku e presin në bisedime presidenti Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrja Ana Bërnabiq.
Një vizitë është parashikuar me shkencëtarë serbë, ku do të prezantohet edhe teknologjia me e re e zhvilluar nga NATO-ja në funksion të paqes dhe sigurisë.
Në Maqedoninë e Veriu pas bisedimeve me presidentin Stevo Pendarovski dhe kreun e qeverisë Dimitar Kovaçevski, kreu i Aleancës së Atlantikut do të mbajë një fjalim në parlamentin e Maqedonisë pasi më herët do të zhvillojë një takim me kryeparlamentarin, shqiptarin Talat Xhaferi.
I gjithë turi do të mbyllet me një takim dhe konferencë të përbashkët mes sekretarit të përgjithshëm të NATO-s me liderët e Ballkanit Perëndimor në Shkup të mërkurën e 22 nëntorit. Në të pritet të jetë i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama.
Përveç udhëheqësve të rajonit, në tryezën e diskutimeve do të jenë edhe presidenti kroat dhe kryeministri slloven.
Vizita e Jens Stoltenbergut vjen në një moment të rindezjes së tensioneve në Ballkan, e veçmas ato mes Kosovës dhe Serbisë pas ngjarjes terroriste në Banjskë.
Po aq në sfondin e këtij turi intensiv janë edhe diskutimet mbi të ardhmen e sanksioneve të Bashkimit Evropian ndaj Rusisë për shkak të vazhdimit të konfliktit në Ukrainë.