Haliti zbulon temat që do t’i diskutojë Stoltenbergu në takim me Osmanin e Kurtin

Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, thotë se takimi i kryeministrit Kurti me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, do të zhvillohet me tema të ndryshme, përfshirë këtu edhe marrëveshjet e nënshkruara më parë.

Haliti thekson se Stoltenbergu do të japë informacion konfidencial lidhur me dyshimet që Serbia e Rusia po përgatitin një luftë të re në Ballkan, sidomos, sipas tij, në Kosovë.

“Besoj që Stoltenbergu do t’ua përsërisë kërkesat e BE-së dhe SHBA-së për sa i përket zbatimit të marrëveshjeve të nënshkruara më parë, ashtu siç do t’ua rikujtojë që siguria, integriteti territorial dhe politik i Kosovës janë të garantuar nga NATO-ja”, tha Haliti.

“Gjithashtu besoj që do t’ju jap informacion konfidencial lidhur me dyshimet që Serbia e Rusia po përgatitin një luftë të re në Ballkan e me theks të veçantë në Kosovë”, shtoi ai.

Tutje, Haliti thotë se temë diskutimi do të jetë edhe situata në veri të Kosovës, por sipas tij, tema kryesore do të jetë integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE.

“Normalisht që do diskutojnë edhe për situatën e krijuar në veri, rreziqet që mund t’i vijnë Kosovës. Por mendoj që tema kryesore do të jetë integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE, obligimet e Kosovës që duhet të përmbushen edhe për fillimin e negocimit për t’u anëtarësuar në NATO”, tha Haliti.

“Pra nuk mjafton vetëm dëshira jonë, por duhet të fillojmë në përmbushjen e obligimeve dhe detyrimeve për t’i hapur Kosovës rrugëtimin perëndimor. Nga presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti pres që t’i kuptojnë mesazhet dhe të fillojnë zbatimin e detyrave të shtëpisë”, tha Haliti për gazetën Blic.

Kujtojmë se Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se takimi i kryeministrit Kurti me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, do të zhvillohet në orën 16:35.

Sipas njoftimit, për këtë takim mediet mund të marrin pamje në oborrin e Qeverisë, ndërsa ato nga takimi thuhet se do të shpërndahem për media nga Zyra për Komunikim me Publikun.

Para takimit me Kurtin, i pari i NATO-s do të pritet nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ku pas takimit do kenë konferencë të përbashkët për media.