Mobilizimi ushtarak i Serbisë në kufi me Kosovën, kërkohet reagim nga ndërkombëtarët

Dy muaj pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku, krerët e shtetit kanë ngritur alarmin se Serbia është duke vendosur forca ushtarake në kufi me Kosovën, duke paraqitur kërcënim për sigurinë dhe duke pritur, siç thonë ata, momentin për një sulm të ri.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, të dielën njoftoi se Serbia ka dislokuar sistemet kundërajrore në afërsi të kufirit me Kosovën, duke shtuar se “kërcënimi nga Rusia dhe Serbia për stabilitetin, paqen dhe sigurinë rajonale po vërehet gjithnjë e më shumë”.

Gjithë këto veprime të Serbisë po cilësohen si shqetësuese nga njohësi i sigurisë, Drizan Shala.

Ai për Telegrafin ka thënë se Serbia nuk ka ndryshuar sa i përket raportit me Kosovën.

“Pas paralajmërimit që është bërë nga Zelensky, mund të themi se çështja e sigurisë në Ballkanin Perëndimor është e cenueshme dhe tanimë vërehet fakti që Serbia ka dislokuar mjetet e rënda ushtarake në brezin kufitar me Republikën e Kosovës. Kjo po e dëshmon faktin që Serbia nuk është duke ndryshuar diskursin e saj sa i përket luftës kundër Kosovës, dhe raportit me faktorin ndërkombëtar”, ka potencuar ai.

Më tej, ai theksoi se është shqetësuese se si Serbia nuk është shkëputur dhe nuk e ka dënuar sulmin terrorist më 24 shtator.

“Unë e shoh shumë shqetësuese faktin që Serbia nuk është shkëputur, dhe nuk e ka dënuar fare sulmin terrorist më 24 shtator, dhe mbi këtë bazë po konstatohet se Serbia qëndron mbrapa dhe akte të tilla të ngjashme mund të na presin. Ne duhet të jemi vigjilentë dhe të vetëdijshëm më shkëmbimin e informacioneve relevante me faktorin ndërkombëtar të sigurisë”, potencoi ai.

Shala po ashtu komentoi edhe vizitën e sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg në Kosovë.

Sipas Shalës, vizita e tij dëshmon se NATO e ka më prioritet çështjen e Ballkanit.

“Ardhja e Stoltenbergut në Kosovë e dëshmon faktin që NATO e ka me prioritet çështjen e Ballkanit Perëndimor, duke mos lejuar në asnjë mënyrë të kemi një vatër të re të luftës, në Evropë. Sepse kështu arrihet qëllimi i Rusisë, pasi pas luftës në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme, të nxisë luftë në Ballkan”, tha ndër të tjera ai.

Duke folur për kërcënimet e Serbisë ndaj Kosovës, eksperti i sigurisë thotë se duhet ndërmarrë masa sanksionuese ndaj tyre.

“Në rast se Serbia nuk tërhiqet nga tentativa për të pushtuar në çfarë do forme territorin e Kosovës ne në bashkërendim me faktorin ndërkombëtar do të duhet të kërkojmë që Serbia të këtë sanksione ekonomike financiare, pezullime nga programi i paqes në kuadër të NATO-s. Dhe kështu t’i jepet një mesazh i qartë Serbisë së nuk mund të qëndrojnë më një këmbë në integrimin evropian dhe më një këmbë në Moskë”.

Për kërcënimet e Serbisë ka folur edhe Enver Dugolli, anëtar i Komisionit për Siguri dhe Mbrojtje në Kuvendin e Kosovës.

Dugolli në deklaratën e dhënë për Telegrafin ka thënë se shteti serb po vazhdon me planin agresiv për destabilizimin e situatës së sigurisë.

“Derisa Serbia po vazhdon me kokëfortësi për mos nënshkrimin dhe zbatimin e marrëveshjeve, ajo po vazhdon me planin agresiv real të tyre për destabilizimin e situatës së sigurisë e cila fare lehtë mund të kalon në një konflikt dhe luftë në mes dy vendeve me premisa të destabilizimit të gjithë rajonit”, theksoi ai.

Deputeti Dugolli nga LVV gjithashtu deklaroi se ndërkombëtarët duhet të jenë më të ashpër ndaj Serbisë,

“BE, SHBA dhe NATO duhet të jenë më të rrepta kundrejt Serbisë dhe ta detyrojnë që të pushon aktivitetet e shtuara ushtarake përreth kufirit me Kosovën. Lista Serbe ndonëse formalisht ka një udhëheqje të re mirëpo ajo vazhdon të dirigjohet nga Radoiçiq i cili do duhej të ishte prapa grilave dhe të merrte dënimin e merituar për atë që bëri në Banjskë me 24 shtator 2023”, tha mes tjerash ai.

Ndryshe, më 24 shtator, grupe terroriste serbe kishin sulmuar Policinë e Kosovës, ku është vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, dhe një polic ishte plagosur.

Përgjegjësinë për organizimin e sulmit e kishte marrë Milan Radoiçiq, ish nënkryetar i Listës Serbe.

Ndërkombëtarët përveç se kishin dënuar sulmin në veri, nuk kishin ndërmarrë asnjë masë sanksionuese ndaj Serbisë.