Nis gjykimi i parë në mungesë për krime lufte në Kosovë

Në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë është mbajtur seanca fillestare e gjykimit të parë në mungesë për krime lufte ndaj të akuzuarit Çedomir Aksiq. Ai akuzohet për krime lufte të kryera gjatë periudhës janar-maj të vitit 1999 në Kosovë.

Në seancën e drejtuar nga kryetarja e trupit gjykues, Violeta Namani-Hajra, si mbrojtës i Aksiqit është paraqitur Zharko Gajiq.

Sipas Prokurorisë Speciale të Kosovës, i akuzuari, në periudhën kohore janar-maj 1999, duke bashkëvepruar me një grup njerëzish kriminal, të organizuar, të veshur me uniforma policore, paramilitare, ushtarake, ka kryer veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”.

Prokurorja Habibe Salihu tha se kanë shfrytëzuar të gjitha mundësitë ligjore me qëllim që të sigurohet prania e të akuzuarit, por kjo nuk është arritur.

Sipas aktakuzës, Aksiqi është i lindur në Shtime, por adresa e tij aktuale është në Serbi. Aktakuza ndaj Çedomir Aksiqit, nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ishte ngritur më 4 maj të këtij viti.

Ky është rasti i parë i gjykimit në mungesë, me të cilin përballet gjykata në Prishtinë dhe lejohet me Kodin e ri të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.

Çka thotë Kodi i Procedurës Penale?

Mbajtja e gjykimeve në mungesë parashihet kur i akuzuari heq dorë vetë nga drejta për të qenë i pranishëm në shqyrtimet gjyqësore.

Gjykimi mund të mbahet në mungesë të të akuzuarit dhe kjo mund të bëhet kur prokuroria dhe gjykata t’i kenë shtjerrë të gjitha mjetet për sigurimin e prezencës së të akuzuarit.

Sipas Kodit të Procedurës Penale, neni 303, gjyqtari ose kryetari i trupit gjykues mban seancë dëgjimore për të përcaktuar përse i akuzuari mungon dhe për të vlerësuar çdo sqarim apo dëshmi, nëse i akuzuari ka vendosur vullnetarisht të mungojë në gjykim.

Aty thuhet, po ashtu, se për marrjen e këtij vendimi, gjyqtari ose kryetari i trupit gjykues merr parasysh nëse janë bërë përpjekje të arsyeshme për ta gjetur të akuzuarin.

Çka prodhojnë gjykimet në mungesë?

Më herët nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Prishtinë (FDH), ishin shprehur kundër aktakuzave dhe gjykimeve në mungesë.

“Edhe pse në fillim mund të duket që viktimat janë të kënaqura me drejtësinë, më vonë shumica e tyre zhgënjehen, sepse edhe në rastet kur dikush dënohet, kur e kuptojnë viktimat që ndoshta kryesi i krimit nuk do të prangoset, është një zhgënjim për viktimën”, ishte shprehur Bekim Blakaj nga FDH-ja.

Blakaj kishte shprehur edhe shqetësim për kohën që mund të marrë nisja dhe përfundimi i këtyre gjykimeve.

“Rreziku është se kanë kaluar më shumë se 24 vjet nga kryerja e krimeve të luftës. Në shumicën e rasteve, Prokuroria është mbështetur në dëshminë e dëshmitarëve, nuk është që ka pasur prova materiale ose mjekoligjore. Rreziku është që dëshmitarët të vdesin, ose ta humbin memorien”, kishte thënë ai.

Por Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, kishte thënë për Radion Evropa e Lirë se gjykimet në mungesë janë të rëndësishme për familjarët e viktimave, “që të zbardhen krimet dhe e vërteta”.

“Ata mund ta shfrytëzojnë pastaj të drejtën e kompensimit nga Fondi për kompensimin e viktimave të krimit, sipas ligjit dhe procedurës së paraparë”, thotë ai.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës deri tani ka ngritur gjashtë aktakuza për krime lufte me propozimin që gjykimi të zhvillohet në mungesë dhe duke arsyetuar që janë shterur të gjitha përpjekjet ligjore për t’i gjetur të pandehurit.

Në luftën e viteve 1998-1999 mbi 13.000 civilë besohet se janë vrarë në Kosovë, ndërsa mijëra të tjerë janë zhdukur. Të pagjetur, edhe sot e kësaj dite, mbeten mbi 1.600 persona - shumica prej të cilëve shqiptarë. /REL