Apeli vërteton dënimin me 15 mijë euro gjobë ndaj ish-drejtorit të Urbanizmit në Drenas, i akuzuar për korrupsion
Gjykata e Apelit e ka vetëtuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, përmes të cilit i akuzuari Idriz Hysenaj ishte dënuar me 15 mijë euro gjobë nën akuzën e korrupsionit.
Hysenaj akuzohej nga Prokuroria Themelore në Prishtinë që në cilësi të asamblistit, pastaj edhe të drejtorit të Urbanizmit në Komunën e Drenasit, kishte lëshuar me qira banesa që ishin pronë e kësaj komune, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Fillimisht Gjykata Themelore në Prishtinë me 27 mars 2023 Hysenaj e kishte dënuar me 6 muaj burgim, por që me pëlqimin e tij ky dënim mund t’i zëvendësohej në dënim me gjobë prej 15 mijë eurove.
Kurse më 21 gusht 2023 Apeli kishte shqyrtuar ankesat e Prokurorisë Themelore dhe të mbrojtësit të Hysenajt, avokatit Tahir Rrecaj, ankesa këto kundër aktgjykimi të Themelores.
Në vendimin e Apelit të marrë së fundit janë refuzuar si të pabazuara ankesa e Prokurorisë Themelore dhe të avokatit Tahir Rrecaj, kurse është vërtetuar aktgjykimi i Themelores.
“Refuzohet si e pabazuar ankesa e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ndërsa aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, …., të datës 24.05.2023 vërtetohet”, thuhet në vendimi e Apelit.
Tutje, në vendimin e Apelit theksohet se aktgjykimi i Themelores nuk është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurë penale që do të kushtëzonin prishjen e të njëjtit dhe kthimin e çështjes në rigjykim.
Gjithashtu Apeli ka sqaruar se aktgjykimi i Themelores lidhur me lartësinë e dënimit është i drejtë dhe i bazuar pasi është vërtetuar se Hysenaj ka kryer veprën penale me dashje, duke e shfrytëzuar pozitën zyrtare dhe se dënimi është në proporcion me peshën e veprës penale të kryer.
Apeli në vendimin po ashtu thekson se nuk është paraqitur ndonjë rrethanë e re e cila do të ndikonte në shqiptimin e një dënimi më të lartë ndaj Hysenajt dhe se zëvendësimi i dënimit me burg në atë me gjobë nga Themelorja ka qenë konform dispozitave ligjore.
Ndryshe aktakuza ndaj Hysenajt ishte ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë cili fillimisht si asamblist në Komunën e Drenasit pastaj edhe drejtor i Drejtorisë së Urbanizmit në këtë komunë kishte dhënë në shfrytëzim banës të ndryshme duke u a marrë qirat e të cilat ishin pronë e Komunës së Drenasit, prandaj me këto veprime akuzohej se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.