Gjykata Komerciale “në hall” me konkursin për gjyqtarët serbë

Prej disa muajsh Gjykata Komerciale është në kërkim të gjyqtarëve të rinj që vijnë nga radhët e minoriteteve.

Të gjitha konkurset e brendshme të hapura deri më tani kanë dështuar.

Kryetari i Gjykatës Komerciale, Mahir Tutuli, ka drojën se fati i njëjtë do të ketë edhe konkursi i ri, i hapur nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

“Përkundër që janë hap disa konkurse, katër konkurse nëse nuk gaboj kanë qenë gjithsej, në asnjërin prej konkursit nuk ka aplikuar asnjë kandidat, qoftë i përkatësisë etnike serbe, qoftë nga minoritet tjerë. Ato vende mbeten të rezervuara, nuk janë plotësuar ende”, ka deklaruar Tutuli për RTV Dukagjinin.

Për këtë refuzim, Tutuli e ka një shpjegim.

“Fusha komerciale është fushë specifike dhe ekspertiza në këtë fushë është deficitare jo vetëm te komunitetet, po edhe te gjyqtarët e përkatësisë shqiptare. Pra është fushë specifike e për të cilën duhet një ekspertizë e veçantë. Zakonisht, gjyqtarët të cilët janë të akomoduar në sektorët tjerë e njohin punën e tyre. Është problematike që të riorientohen”.

Sipas Ligjit, gjykata është e detyruar që t’i përmbush disa vende me gjyqtarë serbë.

Përkundër mungesës së tyre, kryetari Tutuli thotë se puna zhvillohet pa ndonjë problem për të gjitha komunitetet.

“Gjykata Komerciale trajton çështjet ndërmjet personave juridikë, respektivisht bizneseve. Bizneset nuk kanë përkatësi etnike dhe nuk mund të bëhet ndarje e tillë siç bëhet në gjykatat tjera ku varësisht prej përkatësisë etnike, me marrëveshje të veçanta është përcaktua që kompetente do të jenë gjykatat apo divizionet që janë formua për ato çështje”.

Që nga nëntori i vitit të kaluar, kur në mënyrë të organizuar, serbët u larguan nga institucionet, gjykatat në Kosovë janë ballafaquar me mungesë të gjyqtarëve serbë.