Mbi 30 barnatore protestuan ndaj rregullores për orarin e ri
Pesë barnatore në gjithë kryeqytetin qëndrojnë të hapura gjatë natës, nga e hëna deri të shtunën. E të dielën dhe festave, janë dhjetë të tilla kujdestare.
Por, me projektin e nisur nga komuna e Prishtinës, nuk pajtohen farmacistët. Të dielën, mbi 30 prej tyre protestuan, duke hapur barnatoret, por pa shitur barna.
Drejtori i Shëndetësisë në Prishtinë, Izet Sadiku, thotë se vetë qytetarët janë ankuar që nuk ka barnatore të hapura 24 orë në kryeqytet. Ai shprehet se janë mbi 150 barnatore që kanë pranuar të jenë kujdestare.
“Pas parasysh se kryeqyteti I ka tri qendra kryesore të mjekësisë familjare që punojnë 24h dhe ka klinikën universitare që punon 24h në Prishtinë. Dhe ai numër i pacientëve mos me pas barnatore kujdestare dhe kam filluar si proces në bashkëpunim me oden e farmacistëve dhe me shoqatën e farmacistëve, e kemi bë një grup punues i cili ka debate, ka shikuar qysh është rajoni, qysh është ky sektor i organizuar sepse ky sektor dallon prej sektorëve tjera biznesore”, tha Sadiku për RTK-në.
Në anën tjetër, barnatoret kanë angazhuar avokat për ta kundërshtuar këtë vendim të komunës.
Avokati Xhafer Tahiri në një letër drejtuar zyrtarëve komunalë të Prishtinës, kërkon ndryshim të kësaj rregulloreje.
“Trajtimi në Klinikën Emergjente të SHSKUK-së nuk ka orar e mbyllja a barnatoreve rrezikon drejtpërsëdrejti edhe pacientin që merr shërbime në këtë Klinikë, sepse, siç dihet, ajo ofron shërbime për krejt Kosovën”, thuhet në letrën e avokatit Xhafer Tahiri drejtuar komunës.
Ditët në vijim nga Drejtoria e Shëndetësisë pritet të shqyrtohen kërkesat e pronarëve të barnatoreve për zgjatjen e orarit dhe të merret një vendim përfundimtar. Zbatimi i orareve, sipas rregullores së komunës, për barnatoret e kryeqytetit ka nisur më 23 tetor.