Maqedonci falënderon senatorët e SHBA-së për mbështetjen e Kosovës
Në ditën e dytë të pjesëmarrjes në Forumin Ndërkombëtar të Sigurisë në Halifax, Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, zhvilloi një takim të përbashkët me grupin e Senatorëve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Jeanne Shaheen nga New Hampshire, Petter Welch nga Vermont dhe Mike Rounds nga Dakota e Jugut, njofton Ministria e Mbrojtjes.
Sipas njoftimit, Ministri Maqedonci ka shprehur mirënjohjen për kontributin e pazëvendësueshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në të gjitha fazat e shtet-ndërtimit të vendit tonë, si dhe i falënderoi senatorët për angazhimin e tyre në mbështetje të Kosovës.
Tutje thuhet se ndër temat e diskutuara ishte edhe situata e sigurisë në Kosovë, veçanërisht në veri të vendit, pas ngjarjeve të sulmit terrorist të datës 24 shtator në Banjskë, me ç’rast Ministri Maqedonci i informoi senatorët edhe mbi të gjeturat e dala pas sulmit në fjalë.
Ministri po ashtu ka shprehur qëndrimin e Republikës së Kosovës se zgjidhja politike përmes dialogut është opsioni më i mirë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndërsa ka theksuar se komuniteti ndërkombëtar duhet të bëjë më shumë për të kërkuar përgjegjësi nga akterët destabilizues në rajon.