Nuk ka zgjedhje të Serbisë në Kosovë pa marrëveshje

Që komuniteti serb të marrë pjesë në zgjedhjet në Serbi duhet të ketë një marrëveshje të veçantë ka thënë kryeministri, Albin Kurti, në letrën drejtuar shefit të Misionit të OSBE-së në Kosovë, Michale Davenport.

Kurti ka thënë se kjo marrëveshje duhet të vijë nga Serbia si palë e interesuar, bazuar në sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës.

“Lidhur me të njëjtën, dhe në lidhje me çështjen e bashkëpunimit ndërshtetëror për votimin jashtë vendit, me qëllim që të mundësohet që qytetarët e komunitetit serb në Kosovë me shtetësi të dyfishtë të votojnë në zgjedhjet serbe jashtë Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë, është e nevojshme një marrëveshje e veçantë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Kërkesa për këtë marrëveshje duhet të vijë nga Serbia si palë e interesuar”, thuhet në letrën e Kurtit.

Më tej Kurti, duke listuar disa kushte ka inkurajuar Serbinë që të negociojë një marrëveshje speciale me Kosovë, “duke zbatuar në këtë mënyrë edhe një detyrim tjetër të Marrëveshjes Bazë: të kontribuojë në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë”.

“Në lidhje me mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës, më lejoni t’ju tërheq vëmendjen edhe në kornizën e re ligjore, e cila është ndërtuar mbi praktikat më të mira evropiane dhe ndërkombëtare. Lidhur me të njëjtën, dhe në lidhje me çështjen e bashkëpunimit ndërshtetëror për votimin jashtë vendit, me qëllim që të mundësohet që qytetarët e komunitetit serb në Kosovë me shtetësi të dyfishtë të votojnë në zgjedhjet serbe jashtë Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë, është e nevojshme një marrëveshje e veçantë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Kërkesa për këtë marrëveshje duhet të vijë nga Serbia si palë e interesuar. Dhe çdo kërkesë e tillë duhet të marrë për bazë sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës, si shtet i barabartë, në përputhje me nenin 2 të Marrëveshjes Bazë të arritur sivjet mes Kosovës dhe Serbisë. Me këto kushte inkurajojmë Serbinë që të negociojë një marrëveshje të tillë speciale me Republikën e Kosovës, duke zbatuar në këtë mënyrë edhe një detyrim tjetër të Marrëveshjes Bazë: të kontribuojë në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, në bazë të të drejtave të barabarta dhe respektit reciprok të të drejtat e votuesve jashtë vendit”, thuhet në letrën e kreut të ekzekutivit drejtuar shefit të OSBE-së.

Më 17 dhjetor, Serbia do të mbajë zgjedhje të dyfishta (lokale e parlamentare), e me këtë proces, kanë ardhur edhe kërkesat e zakonshme për t’i përfshirë në të serbët që jetojnë në Kosovë.

Kërkesa, sikur edhe herët e kaluara, tek Qeveria e Kosovës është përcjellë nga misioni i OSBE-së.

“Misioni ka informuar Qeverinë e Kosovës dhe palët tjera të interesuara për kërkesën dhe është i gatshëm në parim që të kryejë një operacion për mbledhjen e votave në të njëjtat kushte si në rastet e mëparshme të tilla. Këto kushte përfshijnë pëlqimin nga të dyja palët dhe ofrimin e mbështetjes së nevojshme të sigurisë për operacionin, përfshirë edhe nga Policia e Kosovës”, thuhet nga Misioni i OSBE-së në Kosovë./dukagjini