Hoti: Rikthimi i LDK-së është i domosdoshëm për shtetin e Kosovës
Lidhja Demokratike e Kosovës sot mban Kuvendin e 10-të zgjedhor, ndërsa anëtari i kësaj partie Avdullah Hoti tha se kjo ditë është festë në LDK.
Ai theksoi se “rikthimi i LDK-së është i domosdoshëm për shtetin e Kosovës, është i nevojshëm për të mos devijuar nga vizioni i atit të shtetit të Kosovës”.
“Vitet kanë ndryshuar, kanë ndryshuar edhe nevojat e qytetarëve dhe sfidat e shoqërisë, por vizioni i LDK-së mbetet i palëkundur — një Kosovë demokratike dhe e zhvilluar, e integruar në BE dhe NATO, e në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, shkroi Hoti në llogarinë e tij në Facebook.
“Gra e burra vizionarë e trasuan këtë rrugë në vitet më kritike për gjithë Evropën, kur komunizmi ishte në frymën e fundit, kur shtetet artificiale po shpërbëheshin, dhe kur konfliktet apo luftrat e hapura shkaktonin mijëra viktime gjithandej”, shtoi ai.