Ministria e Shëndetësisë lejon futjen e barnave nga Serbia për komunat veriore

Këta kamionë serbë të mbushur me barna para dy javësh ia kishin mësyrë territorit të Kosovës.

Kjo pas ankesave për mungesë barnash që ngritën institucionet shëndetësore në veri të cilat funksionojnë sipas sistemit serb.

Por, dërgesa priti rreth tri ditë në Doganë lejen nga Ministrisë së Shëndetësisë të Kosovës.

Ky institucion i ka konfirmuar televizionit Dukagjini se ka lejuar shpërndarjen e barnave.

“Donacioni i Aprovuar nga Ministria e Shëndetësisë , me leje për import është pranuar nga Dogana e Republikës së Kosovës dhe është monitoruar nga Inspektorati Farmaceutik deri në shpërndarjen nëpër institucionet kërkuese. Andaj konfirmojmë se produktet medicinale “Donacion” për komunitetin serb është lejuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe ka përfunduar shpërndarja e këtyre produkteve me datën 09.11.2023”, thuhet në përgjigjen e Ministria e Shëndetësisë.
Ky donacion nga Serbia nuk është i pari, derisa nuk dihet nëse do të jetë i fundit nga Beogradi.

Kjo pasi spitalet paralele në veri të vendit zakonisht furnizohen me barna që vijnë si donacion nga shteti serb.

Mirëpo, shqetësuese për anëtarin e Komisionit Parlamentar për Siguri, Shemsedin Dreshaj, është fakti që Qeveria e Kosovës nuk ka furnizuar vet këto institucione.

“Donacione ka pas edhe më herët për atë pjesë të vendit nga ana e Serbisë por edhe nga organizatave tjera por ajo çfarë është për tu brengosur është që të ketë nevojë për donacione dhe të mos ketë furnizim të rregullt nga ana e pushtetit tonë”, ka thënë Shemsedin Dreshaj – Komisioni për siguri.

Institucionet shëndetësore në komunat me shumicë serbe në Kosovë punojnë sipas sistemit serb nën kujdesin e Ministrisë së Shëndetësisë të Qeverisë së Serbisë.

Barnat ose materialet e tjera mjekësore u dërgohen kryesisht nga furnitorë që operojnë në territorin e Serbisë.