Muhamet Hyseni rrëfen emocionet e debutimit me gol për Kosovën

Kosova ka arritur të nxjerr një barazim në udhëtim te Zvicra në kuadër të kampionatit evropian “Euro 2024”.

Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “St.Jakob-Park” përfundoi me rezultat 1-1.

Golin për Zvicrën e shënoi Vargasi kurse për Kosovën e realizoi Muhamet Hyseni.

Kësisoj, barazimi i mundëson Zvicrës që të kualifikohet në Evropian, ndërsa Kosova tashmë është pa gjasa.

Heroi i Kosovës, Muhamet Hyseni ka thënë se ky është vetëm fillimi, pasi shënoi në debutim.

“Është diçka e madhe të shënosh ndaj Zvicrës. Jemi ndier si në shtëpi këtu, publiku ka qenë fantastik. Ky është vetëm fillimi, besoj do të kem më shumë hapësirë në të ardhmen. Ma merrte mendja para lojës se do të bëja diçka të madhe sonte. Për këtë paraqitje kanë merita shumë njerëz, si familja, kombëtarja, Llapi. Këtë gol ia dedikoj familjes sime”, ka thënë sulmuesi i Llapit. /Zëri