Ngecja e punimeve në “Taslixhe”, banorët ankohen për punime të ngadalshme
Punimet që po zhvillohen në rrugicën “Ali Hafiz Korça” në Taslixhe të Prishtinës, kanë shkaktuar pakënaqësi te banorët për zvarritjen e tyre.
Ata thonë se hapja e punimeve në rrugë e ka vështirësuar lëvizjen në lagje.
Zyrtarët komunalë premtojnë se punimet do të përfundojnë javën e tjetër.
Shaqir Vitisë, banor i lagjes Taslixhe, i është vështirësuar ecja në rrugicën “Hafiz Ali Korca”, aty ku banon. Ai shprehet i pakënaqur me punët e ngadalshme që po bëhen në lagjen e tij.
Hallin e njëjtë e ndan edhe fqinji i Vitisë, i cili kritikon komunën për neglizhencë të punimeve.
Në komunën e Prishtinës arsyetohen se reshjet po e pamundësojnë kryerjen e punimeve me dinamikë më të shpejtë.
“Kjo periudhë ka qenë periudhë pak të vështira edhe periudhë e reshjeve kemi pas një problem edhe me gypin e ujit, është sanuar gypi i ujit brenda fillimit javës tjetër deri në mes të javës tjetër përfundon e gjithë rruga'', tha Krenar Xhaferri, drejtor komunal i investimeve kapitale.
Punimet në rrugicën 170 metërshe, sipas komunarëve, kanë filluar nga 2 nëntori./rtk