Vëllaznimi fiton ndaj Bashkimit
KB Vëllaznimi e ka shënuar fitoren e pestë rresht në elitën e basketbollit të Kosovës.
Ecuria pozitive e nisur në xhiron e pestë kundër Yllit, ka vazhduar edhe në xhiron e nëntë për skuadrën gjakovare.
Vëllaznimi të shtunën në palestrën “Shani Nushi” në Gjakovë, fitoi me rezultatin 102:80 përballë Bashkimit pa telashe, në një atmosferë të zjarrtë.
Dominimi i vendësve nisi që nga fillimi. Çerekun e parë e fituan me rezultatin 34:22, ndërsa dallimi i madh në pikë u bë në 10-të minutëshin e dytë që u mbyll 20:13 për vendësit, që shkuan në pushim me 19 pikë epërsi, 54:35.
“Kuqezinjtë” vazhduan paraqitjen e mirë edhe në periudhën e tretë e të katërt duke e administruar mirë lojën, për të triumfuar në fund me 22 pikë dallim.
Pesë lojtarë të Vëllaznimit realizuan pikë dyshifrore. Më i dalluari ishte Samuel Sessoms me 24 pikë, 5 kërcime e 10-të asistime. Lojë të mirë pati edhe Jalen Ray me 24 pikë, katër kërcime e katër asistime.
Jordan Dallas dhe Ardit Pepaj shënuan nga 14 pikë, kurse Atik Koshi kontribuoi me 11 pikë në fitoren e thellë të Vëllaznimit.
Grant Lozoya te Bashkimi shënoi 25 pikë, dy kërcime e katër asistime, por që nuk mjaftuan për ta shmangur humbjen.
Vëllaznimi tani ka bilanc prej pesë fitoreve e katër humbjeve dhe ka 14 pikë.
Ndërkohë, Bashkimi ka bilanc prej tri fitoreve e gjashtë disfatave. Humbja nga Vëllaznimi ishte e pesta rresht, dhe ka 12 pikë.