Izraeli i do të gjithë palestinezët jashtë nga Gaza
Trupat izraelite do të avancojnë kudo ku gjendet Hamasi, përfshirë pjesën jugore të Rripit të Gazës. Këtë e konfirmoi një zëdhënës ushtarak, mes indikacioneve në rritje se një ofensivë në pjesën jugore mund të jetë e pashmangshme. Pasi detyruan qindra mijëra palestinezë të largoheshin nga veriu për në jugun e Rripit të Gazës, tashmë izraelitët po kërkojnë largimin e plotë të palestinezëve nga territori autonom.
“Po u kërkojmë njerëzve që të zhvendosen”, u shpreh një këshilltar i kryeministrit Benjamin Netanjahu. Sakaq, Izraeli ka urdhëruar dhe evakuimin e spitalit Al Shifa në veri të Gazës, brenda një ore. Rreth 5 mijë njerëz, duke përfshirë persona të zhvendosur dhe pacientë, janë larguar nga kompleksi spitalor në qytetin e Gazës. Kështu ka raportuar korrespondenti i transmetuesit Al Arabiya, duke specifikuar se rreth 450 pacientë kanë mbetur në gjendje kritike në spital.
Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë përshëndeti vendimin e Izraelit për të lejuar çdo ditë nga dy kamionë me karburant që të futen në territorin palestinez në kufirin me Egjiptin. Bilanci i kësaj lufte sa vjen e bëhet më tragjik. Mbi 16 mijë palestinezë janë vrarë në Gaza në 43 ditë luftime.
Shifrat raportohen nga qeveria e Hamasit. Mediat shkruajnë se të paktën 3700 persona, të vrarë në bombardimet izraelite, janë ende nën rrënoja. /a2cnn