Studentët në Kosovë dhe Shqipëri tregojnë arsyet që po i shtyjnë të emigrojnë drejt shteteve tjera

Studentët në Kosovë dhe Shqipëri tregojnë arsyet që po i shtyjnë të emigrojnë drejt shteteve tjera

Organizata rinore nga Shqipëria dhe Kosova theksuan se papunësia dhe mungesa e meritokracisë në të dy vendet e ka ulur cilësinë e studimeve universitare dhe i shtyn ata të emigrojnë drejt shteteve të tjerë.

Këto organizata zhvilluan dje në Tiranë Kongresin Kombëtar Studentor, ku u diskutua në detaje mbi shqetësimet e të rinjve në dy vendet.

Dhjetëra të rinj nga Shqipëria dhe Kosova u takuan sot në Tiranë në Kongresin Kombëtar Studentor, ku diskutuan mes tyre, së bashku me pedagogë dhe ekspertë të arsimit të lartë.

Ata folën me shqetësim për mospërfilljen që vuajnë prej politikës dhe institucioneve shtetërore dhe mosdëgjimin e mendimeve të tyre nga autoritetet publike.

Një nga organizatorët e Kongresit Kombëtar Studentor, Migen Qiraxhi, thotë se ndër shqetësimet kryesore të të rinjve studentëve janë mospërfshirja e të rinjve në vendimmarrje, si dhe mungesa e meritokracisë, gjë që i shtyn ata drejt emigrimit.

“Sipas organizatës Transparency International korrupsioni në Shqipëri është në nivele shumë të larta. Edhe kjo tregon se kemi të bëjmë me mungesë të meritokracisë, çka dëmton më shumë komunitetin e studentëve dhe profesionistëve të rinj, që nuk e gjejnë dot hapësirën në vendet e punës. Ata nuk e gjejnë dot hapësirën as në treg, sepse edhe tregu është kompozuar mbi tendera korruptivë, klientelizmit dhe korrupsionit të qeveritarëve. Tregu nuk kërkon cilësi, sepse nuk konkurron me cilësi, dhe të rinjtë ikën në vende të tjerë, atje ku respektohet dituria, meritokracia dhe aftësitë profesionale”, tha Qiraxhi.

Emigrimi i rinisë mbetet shqetësim kryesor në të dy vendet, u theksua nga folësit kryesorë në tubim.

Aktivisti Rron Gjinovci thotë se në të dy anët e kufirit zyrtarët flasin për rritje në shifrat ekonomike, por pak flasin për rininë dhe shkollimin e saj.

“Mendoj që sfida më e madhe e të rinjve në Kosovë dhe në Shqipëri, sidomos në Kosovë, është papunësia. Një në dy të rinjë në Kosovë është i papunë. 45 për qind e të rinjve deri në moshën 25 vjeçare janë të papunë. Kjo krijon probleme në disa aspekte në shoqëri, duke nisur nga problem më i thjeshtë ekonomik, që ua pamundëson të rinjve pavarësinë e jetesës”, tha Gjinovci.

Një tjetër shqetësim kryesor, krahas mungesës së organizimit komunitar është edhe niveli i ulët e mësimdhnies akademike, theksuan folësit. Studenti i shkencave kompjuterike , Ilir Kiçmari, thekson se shqetësim kryesor i rinisë në Kosovë është edhe rritja e cilësisë së shkollimit, ku vetëm Universiteti i Prishtinës ka së paku 40 mijë studentë.

“Shqetësimi më i madh i studentëve në Kosovë është cilësia e ulët e arsimit të lartë. Studentët duan më shumë cilësi. Në mënyrë që kur të përfundojnë studimet të kenë mundësi për punësim në tregun e punës si dhe të kenë mundësi që vazhdojnë studimet jashtë vendit, të bëhen pjesë e jetës akademike dhe të ndihmojnë në edukimin e brezave”, tha Kiçmari, përfaqësues i organizatës Iniciativa Rinore për Novacion 68.

Kongresin Kombëtar të Studentëve e ndoqën nga afër edhe pedagogë të disa fakulteteve.

Akademiku Artan Fuga u bëri thirrje të rinjve nga Shqipëria dhe Kosova të këmbëngulin në kërkesat për politika të reja arsimore në të dy vendet.

“Me politikë të re unë kuptoj kompetenca, të drejta, detyra, përfshirje në vendimmarrje, system vlerash që duhen shpërndarë më mirë midis aktorëve që përbëjnë botën universitare. Studenti duhet vënë në qendër të vendimmarrjeve”, tha profesor Fuga.

Emigrimi i rinisë drejt vendeve të BE-së është prej disa vjetësh një dukuri mbizotëruese në rajonin e Ballkanit perëndimor.

Anketime të fundit tregojnë për një gatishmëri të lartë të të rinjve për tu larguar për shkollim, punësim dhe jetesë më të mirë në vende të tjerë për shkak, siç shprehen ata, të varfërisë, papunësisë dhe mungesës së perspektivës në vendin e tyre./voa