Vendosja e kryqit nxit reagimin e qytetarëve dhe pushtetit lokal në Tetovë
Pas vendosjes së një kryqi rreth 15 metra të gjatë në oborrin e Manastirit “Shën Naumi i Ohrit" në Qendrën Sportive "Kodra e Diellit" në Tetovë, ka nxitur reagime në Maqedoninë e Veriut.
Kryetari i Tetovës, Bilall Kasami, tha se me vendosjen e kryqit krijohet përshtypja se dikush qëllimisht synon të krijojë incidente dhe konflikt të ri mes qytetarëve. Derisa reagime të ashpra kanë pasuar edhe nga qytetarë të Tetovës.
Një kryq rreth 15 metra i gjatë është vendosur në oborrin e Manastirit “Shën Naumi i Ohrit" në Qendrën Sportive "Kodra e Diellit". Kjo ka nxitur reagimin e pushtetit lokal dhe të qytetarëve të Tetovës.
Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, tha se me vendosjen e kryqit krijohet përshtypja se dikush qëllimisht synon të krijojë incidente dhe të krijojë konflikt të ri mes qytetarëve.
"I bëjmë thirrje Komisionit për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive Fetare, Kishës Ortodokse Maqedonase, Arqipeshkvisë së Ohrit, gjegjësisht Mitropolisë së Tetovës, që konform kompetencave të tyre të marrin masa e ta heqin vetë këtë kryq, e mos lejojnë që feja të shndërrohet në vegël për të krijuar tensione mes qytetarëve tanë. Njëkohësisht bëjmë thirrje Inspektoratit Shtetëror për Ndërtimtari dhe Urbanizëm, si organ me kompetenca të drejtpërdrejta në këtë çështje, që të veprojë sa më shpejtë në përputhje me detyrat e saj”, tha Kasami.
Ai i bëri thirrje Kishës Ortodokse maqedonase që të mos lejojë të bëhet viktimë e politikave nacionaliste.
“Duke pasur një përvojë të tillë, ne e kemi parë këtë skenar në të kaluarën, si një parti maqedonase luan luanin, një parti shqiptare luan shqiponjën para zgjedhjeve dhe kur hyjnë në zgjedhje kthehen në një kotele dhe një harabel, prandaj ju bëjmë thirrje për paqe, dashuri dhe respekt të ndërsjellë, i bëjmë thirrje Kishës Ortodokse Maqedonase – Kryepeshkopatës së Ohrit, që të mos lejojnë të bëhen viktima të politikave nacionaliste”, u shpreh Kasami.
Kryqi i vendosur në "Kodër të Diellit" vlerësohet si provokim i rëndë edhe për qytetarët.
"Provokime të herëpashershme janë këto. Janë tentuar gjithandej. Me veprime të këtilla mundohen me na provokuar me njëfarë mënyre", shprehet një qytetar.
"Provokim shumë i madh të shqiptarëve,për të cilin nuk gjykojmë se nuk duhet vendoset, por duhet t’ia gjejnë vendin. Ky vend nuk është aty për tu vendos", thotë një qytetarë tjetër.
Inspektorati komunal i urbanizmit ka njoftuar se nëse kryqi është vendosur pa leje, ai do të largohet nga aty./rtk