Vlerësohet se situata e sigurisë në Kosovë e rajon është përballë një rreziku serioz

Për synimet ruse në Ballkanin Perëndimor së fundmi kanë folur nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

Përmes platformës “X”, zëdhënësi i sapoemëruar, Matthew Miller ka bërë të qartë qëndrimin e ShBA-së ndaj veprimeve destabilizuese të Rusisë.

Madje edhe Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, kërkoi që t’i kushtohet vëmendje Ballkanit, pasi posedon informacione për plane të Rusisë.

“Kushtoni vëmendje Ballkanit. Më besoni, kemi informacione. Rusia ka një plan të gjatë. Lindja e Mesme do të jetë Ballkani, e nëse vendet e botës nuk ndërmarrin diçka, do të ketë një shpërthim të tillë. Kjo është arsyeja pse Rusia do të sigurohet se një vend i Ballkanit të jetë në luftë me një tjetër”, ka shkruar Zelensky.

Pas deklaratës së Zelenskyt, gjatë së premtes ka reaguar edhe BE.

Zëdhënësi i bllokut evropian, Peter Stano tha se ndan shqetësimin e njëjtë me presidentin e Ukrainës.

“Për një kohë të gjatë ne kemi thënë se Rusia po bën përpjekje për të ushtruar ndikim malinj edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Pra, po, ky është shqetësimi që ne e ndajmë dhe ky nuk është shqetësim i ri, por shqetësim që ka qenë me ne për një kohë. Ne në këtë pikë pajtohemi me presidentin e Ukrainës dhe e dimë që Rusia po bën gjithçka që mundet që të mbjellë pakënaqësi, jo stabilitet politik, ndikim të huaj, manipulim informatash dhe tjera”, tha Stano.

Aktivitetet me tendenca destabilizuese ruse i ka komentuar edhe njohësi i çështjeve të sigurisë, Bedri Elezi.

Ai ka vënë në fokus se pas rastit të 24 shtatorit, tash  Kosova është përballë një rreziku serioz.

“Kishim një aggression të sulmeve terroriste, dhe numri i mad hi pjesëtarëve të cilët morën pjesë në këtë sulm tanimë janë të lirë dhe të njëjtit paraqesin rrezik serioz. Po ashtu refuar informacioneve që tani më janë bërë publike se ekziston dyshimi i bazuar se ka dy baza ushtarake te Serbisë, 20 km afër terrirtorit të Kosovës, që përgatiten për aktivitete të dhunshme”, tha Elezi.

Krahas kësaj, Elezi thotë se brengosës është fakti që Serbia ka bashkëpunim të thellë me Rusinë.

“Paguhen me pagesa të majme për të destabilizuar sigurinë. Tanimë është mjaftë e besushme pas raportit të DASH-it, se gjithë kjo mbështetje vjen nga Moska zyrtare me një qëllim që të kemi situata të reja dhe të kemi defokusim të forcave ndërkombëtare të sigurisë. Tani Rusia e arriti qëllimin në Lindjen e Mesme ku ka hapur një vatër zjarri”, tha ai.

Reagim lidhur me këtë çështje ka pasur edhe kryeministri kroat, Andrej Plenkoviq duke nënvizuar se Rusia ka funksionin e destabilizimit të vendeve në kufi me Bashkimin Evropian./teve1