Kurti në Ditën e Gjuhës Rome: Po angazhohemi në edukimin e brezave të rinj të komuniteteve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka marrë pjesë sot në manifestimin e Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës Rome që u mbajt në Prizren.

Kurti u shpreh i lumtur që është në mesin e tyre në shënimin e kësaj dite të rëndësishme siç është Dita Botërore e Gjuhës Rome- 5 Nëntorit.

Ai tha se është krenar që kontribuojnë për këtë gjuhë, me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve dhe me mekanizmat institucionalë për të drejtat gjuhësore duke theksuar se në të gjithë botën ekzistojnë vetëm tri komuna ku gjuha rome është në përdorim zyrtar. Ai nënvizoi se një prej tyre është në Maqedoninë e Veriut, ndërsa dy të tjera janë në Kosovë: Graçanica dhe qyteti i Prizrenit në të cilin është mbajtur edhe manifestimi i kësaj dite dhe date të rëndësishme.

Kurti theksoi se Qeveria po angazhohet për edukimin e brezave të rinj dhe rritjen profesionale, e që janë investuar 200 mijë euro në qendra mësimore për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, si dhe kanë ofruar 500 bursa për nxënësit e këtyre komuniteteve në shkollat e mesme. Më pas kryeministri potencoi se janë ndarë fonde për 100 bursa edhe për studentët e këtyre komuniteteve në fakultet.

“Në vitin 2022, ne kemi trefishuar numrin e pjesëtarëve të këtyre komuniteteve që janë trajnuar në Qendrat tona të Aftësimit Profesional, dhe 35 biznese fillestare nga komuniteti rom, ashkali dhe egjiptian kanë marrë grante nga Ministria për Komunitete dhe Kthim. Këtë vit, edhe 35 biznese dhe fermerë nga këto komunitete kanë marrë grante. Ne kemi bashkëpunuar me policinë për ta siguruar rekrutimin më të madh të komuniteteve në raundin e fundit”, theksoi ai.

Ndër tjera Kurti tha se ndihet i lumtur për rastet kur përdoret gjuha rome në nivel qendror, ai me këtë rast veçoi se për herë të parë në gjuhën rome është përkthyer Strategjia për Romët dhe Ashkalitë, po ashtu edhe Strategjia dhe Plani për të Rinjtë, po përkthehet në gjuhën rome dhe atë turke, përfundoi kryeministri.
 

“Në përmbyllje të fjalës së tij, kryeministri Kurti tha se që një gjuhë të mbahet gjallë me dokumente zyrtare, duhet të jetë e tillë edhe në përdorim të përditshëm, për komunikim mes fqinjëve, për ndarjen e lajmeve familjare, për ëaste lumturie, për artikulimin e ëndrrave, për dashurinë”, thuhet në komunikatë. /Zëri