Kurti e ambasadori i ri i Hungarisë në Kosovë flasin për thellimin e bashkëpunimit në shumë fusha
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim ambasadorin e ri të Hungarisë në Kosovë, Bela Bozsik.
Ai e falënderoi Bozsikin për kontributin e tij si zv.ambasador fillimisht për forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Hungarisë që prej vitit 2016 si dhe përgëzoi për detyrën e tij të re si ambasador, raporton Zeri.info.
Në anën tjetër ambasadori Bozsik, shprehu përkushtimin e tij në forcimin e marrëdhënieve bilaterale mes dy vendeve tona dhe mbështetjen e vazhdueshme të Hungarisë ndaj Kosovës.
“Thellimi i marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve tona është përkushtim dhe qëllim i dyanshëm. Kosova dhe Hungaria bashkëpunojnë në shumë nisma dhe projekte me interes të përbashkët”, thuhet ndër tjera.
Kryeministri falënderoi Hungarinë për mbështetjen në fushën e arsimit, veçanërisht 75 bursa në vit të ndara për studentët nga Kosova, por edhe përkrahjen në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.
“Rruga përpara e rajonit drejt integrimit në BE e prosperitetit mbetet me rëndësi, ku u veçua dhe kontributi që Hungaria mund të japë vitin e ardhshëm gjatë Presidencës së saj të Këshillit të BE-së. Me këtë rast, Kryeministri Kurti tha se Kosova ka nevojë vitin e ardhshëm për mbështetje për statusin e vendit kandidat për BE, për Partneritetin për Paqe drejt anëtarësimit në NATO, dhe për anëtarësim në Këshillin e Evropës”, thuhet në komunikatë. /Zëri