Para ndeshjes ndaj Kosovës, Shaqiri: Është një lojë shumë e veçantë për mua
Futbollisti nga Kosova, Xherdan Shaqiri ka folur në konferencë për shtyp para ndeshjes së nesërme ndaj Kosoveës në kuadër të kampionatit evropian “Euro 2024”.
Shaqiri për lojën ndaj Kosovës tha se është shumë e veçantë për të.
“Është një lojë shumë e veçantë për mua. Të luaj kundër Kosovës në Basel dhe në të njëjtën kohë të barazosh rekordin e Heinz Hermann e bën atë edhe më të veçantë për mua. Por prioriteti i parë është sigurisht kualifikimi në Kampionatin Evropian”.
Shaqiri foli edhe për biletat që i ka rezervuar për familjen e tij ku gjithsej janë 40, teksa u shpreh se miqtë e tij akoma e telefonojnë për sigurimin e tyre.
“Vetëm prindërit e mi donin 40 bileta. Miqtë akoma më telefonojnë çdo ditë”, vazhdoi ai.
Ai po ashtu ka shtuar se nuk do të festoj nëse shënon.
“Kam respekt të madh për Kosovën. Kam lindur në Kosovë, prindërit e mi janë nga Kosova dhe atje kam shumë të afërm. Përkundër kësaj, unë dua të shënoj gola për Zvicrën të shtunën, pasi luaj futboll dhe kjo është puna im. Por, jam i bindur se nuk do të festoj”, shtoi Shaqiri.
Ndeshja mes Zvicrës dhe Kosovës zhvillohet nesër në orën 20:45.
Zvicra është lidere me 16 pikë kurse Kosova në vendin e katërt me dhjetë sosh. /Zëri