Dëshmitari Halitjaha do të vazhdojë dëshminë më 4 dhjetor

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ka mbaruar për sot dëshminë e tij dëshmitari Sadik Halitjaha në çështjen gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Pas marrjes në pyetje nga mbrojtja e Jakup Krasniqit, përmes avokates Venkateswari Alagendra, për dëshmitarin ka pasur pyetje edhe mbrojtja e Kadri Veselit përmes avokatit, Ben Emmerson.

Avokatët Emmerson dhe Venkateswari e pyetën dëshmitarin lidhur me strukturat komanduese dhe organogramët në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërsa, prokurori James Pace në pyetjet shtesë drejtuar dëshmitarit Halitjaha, paraqiti një dokument të ri, dokument i cili u kundërshtua nga pala mbrojtëse e Thaçit, por ky kundërshtim nuk u aprovua nga trupi gjykues.

Sipas prokurorit Pace, ky dokument ka të bëjë me një vendim të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së për mobilizim dhe mbledhje të automjeteve të ndryshme për nevojat e ushtrisë.

Lidhur me këtë dokument, dëshmitari Halitjaha tha se ky vendim nuk është zbatuar sepse është nënshkruar nga personat jokompetentë.

Edhe pse ishte paraparë që dëshmia e këtij dëshmitari të përfundojë sot, kjo nuk ndodhi sepse nuk pati kohë të mjaftueshme për pyetjet shtesë të prokurorit Pace dhe për pyetjet eventuale të trupit gjykues dhe mbrojtësit të viktimave, por edhe ato shtesë të palës mbrojtëse, andaj dëshmia e dëshmitari Halitjahaj do të vazhdojë edhe në seancën e 4 dhjetorit. /BetimipërDrejtësi