Muhaxheri hedh dyshime se Kurti e Vuçiqi janë marrë vesh për Asociacionin
Nënkryetari i LDK-së, që është edhe kryetar i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri ka hedhur dyshime se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është marrë vesh me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për ta formuar Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe
Muhaxheri tha se draft-statuti për Asociacionin, mund të jetë dorëzuar nga vetë Kurti dhe pastaj është pranuar edhe nga Vuçiqi.
“Kurti është dashur të jetë më i mençur se ata [serbët] dhe ta dorëzojë një dokument vet. Veç nëse ky dokument është që e ka dorëzu vet dhe është dakordu me Vuciqin, dhe na servohet neve si dokument i dikujt tjetër. Ka një dyshim se këta janë marrë vesh, dhe tash hajt si ta paketojmë. Këtu duhet me u ngjallë dyshimi te qytetarët. Si është e mundur që një njeri, dhe zv. kryeministër, njëri i ka votat por tjetri është i emëruar, po folin për të ardhmen e vendit për 30 vitet e ardhshme. Nëse është pranu ky dokument e po shihet që po, do të jetë në tavolinë edhe në qeveritë e ardhshme”, tha ai.
Muhaxheri tha se Kurti po flet ndryshe me opozitën e ndryshe siç i quajti “me militantët e tij”.
“Nga gjuha që po e përdor te opozita, shihet që është pranu, kurse te militantët thotë jo luani se pranon këtë marrëveshje”, tha ai. /rtvdukagjini