Kurti do anëtarësim në KiE para zgjedhjeve në BE dhe SHBA, Gashi thotë pranimi duket i lidhur me “Zajednicën”

Në qershor të vitit të ardhshëm Bashkimi Europian mban zgjedhjet parlamentare. Në nëntor, Shtetet e Bashkuara të Amerikës zgjedhin presidentin e ri. Para këtyre dy datave, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dëshiron që Kosova të jetë anëtare e Këshillit të Europës.

Kosova ka nisur formalizimin e aspiratave të saj për integrim në organizata të rëndësishme ndërkombëtare me dorëzimin e dosjes së aplikimit për anëtarësim në organizatën e vjetër europiane për të drejtat e njeriut, Këshilli i Europës dhe më pas e vazhdoi me aplikimin për anëtarësim në BE, derisa pas saj synon anëtarësimin e NATO-s.

Sukseset e aplikimeve të dorëzuara lidhen drejtpërdrejt edhe me zgjedhjet që do të mbahen në BE dhe SHBA. Prandaj, kryeministri Kurti në një intervistë për “Der Standard” thotë se është e rëndësishme që Kosova të bëhet anëtare e KiE meqë ajo për BE është më problematike.

“Jam optimist. Por është shumë e rëndësishme që kjo të ndodhë përpara zgjedhjeve të BE-së dhe SHBA-së, sepse disa shenja nuk janë të mira. Nuk e dimë se si do të duket bota pas dy vitesh. Në vend të çlirimit të plotë të Ukrainës dhe përfundimit të luftës atje, ne kemi një tjetër konflikt në Lindjen e Mesme. Si rezultat, ka më pak vëmendje për Ballkanin”, ka deklaruar Kurti.

Deklarata optimiste e Kurtit vjen pas takimit që ai zhvilloi në fillim të këtij muaji me greken Dora Bakoyannis, e cila është raportuese për Komisionin e Çështjeve Politike të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës (PACE) për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në KiE.

Misioni i saj në Kosovë është fakt-mbledhës dhe do të përpilojë një raport që do të shërbejë si bazë për vendimmarrje në PACE.

“[Kryeministri] u shpreh se për Kosovën anëtarësimi në Këshill të Europës është proces historik, i cili i kontribuon mbrojtjes, promovimit dhe avancimit të demokracisë, sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut, dhe se Republika e Kosovës po angazhohet maksimalisht që çdo fazë e anëtarësimit të shkojë në mënyrën më të mirë të mundshme, ndërkohë që ndau me të më të rejat për sa i takon zhvillimeve politike në vend, performances ekonomike, progresit demokratik dhe reformave të deritanishme”, kishte njoftuar ZKM pas takimit të Kurtit me Bakoyannis.

Sipas ZKM-së, kjo e fundit u shpreh e lumtur me ndryshimin dhe zhvillimin që ka shënuar Kosova prej vizitës saj të fundit para 14 vjetëve, teksa kishte vënë në pah se raporti që do të përpilojë ajo nga qëndrimi i saj në Kosovë do të shërbejë si bazë për vendimmarrje në PACE.

Ndryshe nga kryeministri, deputeti opozitar Arben Gashi, i cili është pjesë e delegacionit të deputetëve kosovarë në Këshillin e Europës, thotë se edhe ky proces duket që është ndërlidhur me kushtin për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Kjo çështje ndër të tjera duket që është e lidhur me Zajednicën”, tha shkurt ai.

Përveç Bakoyannis, presidenti i Asamblesë Parlamentare në mbledhjen e Komitetit të Përhershëm të KiE në qershor kishte caktuar dy juristë të cilët do të bëjnë një raport vlerësimi për Kosovën.

Avokati gjerman Thomas Markert dhe avokatja finlandeze Sia Spiliopoulou Akermark janë dy juristët që do të merren me hartimin e raportit për Kosovën. I pari ishte i përfshirë në hartimin e kushtetutave të shteteve të rajonit, përfshirë edhe atë të Kosovës, ndërsa Akermark ka në fushë të interesit minoritetet.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Europës më 12 maj 2022. Ndërkaq, më 24 prill u shënua hapi i parë i suksesshëm për Kosovën me vendimin e Komiteti Ministror i Këshillit të Europës që t’ia përcjellë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës kërkesën për anëtarësimin e Kosovës.

Komiteti që përfaqëson 46 shtetet anëtare të KE-së, mori këtë vendim në një mbledhje të jashtëzakonshme, me më shumë se 2/3 e votave. Lidhur me këtë vendim pati 33 vota për, shtatë kundër dhe pesë abstenime. /express